Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po qëndron brenda hapësirave të Kuvendit të Kosovës në një takim me disa nga deputetët e grupit të tij parlamentar pas ftesës për koalicion nga Vetëvendosje. Para hyrjes në takim, deputeti Arben Gashi tha se sugjerimi i tij është që palët të ulen në takim dhe t’ia thonë gjërat në sy.
Sipas tij, kushdo të jetë nesër kryeministër do të ulet në takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiç prandaj duhet të normalizohet takimi mes liderëve politikë në Kosovë. Gashi shtoi se letra e Kurtit ishte shkruar me përulësi dhe me respekt, por që nuk i kishte pëlqyer një element kur Kurti pretendon se “disa njerëz nuk kanë ndikim në LDK” një referencë për ish-ministrin Agim Veliu që ishte shkarkuar nga Kurti në Qeverinë e parë që çoi në rënien e koalicionin dhe të Qeverisë.
Gashi tha se këto janë çështje te brendshme të partisë së tij dhe nuk i interesojnë askujt, ashtu sikurse është çështje e brendshme edhe vendimmarrja për takim dhe koalicion ose jo me VV. (A2 Televizion)