S’ka zgjidhje! Tensione dhe akuza në seancën e dhjetë

Nga Ideal Gola
3 Maj 2025, 12:31 | Politikë

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as për të dhjetën herë pasi ngërçi tashmë ka mbetur te ngritja e një komisioni me përfaqësuesit e partive për të menaxhuar votimin e fshehtë, të cilën e kërkon Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjen e kryeparlamentarit, por që nuk po merr mbështetjen e partive të tjera më të mëdha.

Të shtunën ishte përpjekja e dytë që të ketë një votim të fshehtë, gjë që shkaktoi tensione në seancë. Me PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK që nuk pranuan as të propozojnë përfaqësues për këtë komision.

Partia Demokratike konfirmoi se nuk kanë asnjë votë për Albulena Haxhiun edhe nëse propozim do të vijë për të 100 herë, duke bërë thirrje për ndryshim të kandidaturës.

“Albin Kurti nuk ka vota për t’u bërë kryeministër, kjo është arsyeja themelore pse po e mban peng shtetin e pse po e mban peng Kuvendin sepse përndryshe i bie, që për më e rëndësishme është Albulena Haxhiu sesa 966 mijë votues të Republikës së Kosovës që kanë dhënë verdiktin e tyre”, tha Memli Krasniqi i PDK.

Akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje për bllokim dhe shkelje të rregullores patën edhe Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Prej datës 15 prill deri më sot jemi takuar çdo 48 orë, tash LVV ka ndryshuar strategjinë, në vend të vendos aty emrin e Albulena e Haxhiut ka bërë një taktikë dhe po kërkon votë për një komision për votim të fshehur”, u shpreh Hykmete Bajrami nga LDK.

“Nuk i kanë votat për formimin e këtij komisioni, nuk i kanë votat për lojërat e tyre politike që po i bëjnë dhe nëse nuk ndryshojnë qasje kështu do të vazhdojnë dhe faji është i Lëvizjes Vetëvendosje, këto janë taktika të LVV-së”, deklaroi Time Kadrijaj e AAK.

Vetëvendosja këmbëngul se votimi i fshehtë nuk është shkelje e rregullores. Ata akuzojnë partitë e tjera nuk po arrijnë akordin për një koalicion prandaj duan të fitojnë kohë.

Sipas tyre ka vetëm dy alternativa, ose të qeverisë Vetëvendosje me partitë e vogla, ose partitë e tjera me Listën Serbe, por që të ndodhë kjo e dyta po presin, siç u tha, ndihmën e ndërkombëtarëve për ta legjitimuar këtë koalicion në sytë e publikut.

“Unë jam shumë e sigurt që sikur opozita vërtetë mos të përdorte vetëm si pretekst por vërtetë të besonte që kjo është një shkelje e kushtetues, opozita ne do të na linte ta bëjmë këtë shkelje të kushtetutës me qëllim që Gjykata Kushtetuese me na rrëzuar këtë vendim”, deklaroi Donika Gërvalla e Lëvizjes Vetëvendosje.

Seanca e radhës për të konstituuar Kuvendin do të mbahet ditën e hënë me fillim në ora 10:00.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos