Përpjekja e dhjetë, tentimi për votim të fshehtë theu besimin mes partive

Nga Ideal Gola
2 Maj 2025, 20:34 | Politikë

Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit do të vijë me shijen e keqe jo vetëm të dështimit në nëntë përpjekje, por edhe të një takimi mes krerëve të dy partive të para që duket se më shumë kanë larguar se sa ka afruar palët drejt zhbllokimit të situatës.

Tentimi që në seancën e fundit të ketë një votim të fshehtë për të zgjedhur kreun e Kuvendit me shpresën se mund të rridhte ndonjë votë nga deputetë që mund të mos jenë dakord më qëndrimin e partisë, bëri që të thyhet edhe ai pak besim mes palëve, shkruan A2.

Analisti Dritëro Arifi shprehet: “Është një taktikë që nuk siguron numrat saktë dhe i mungon transparenca që në start dhe krijon një fërkim të panevojshëm mes palëve, pra krejt esenca është si të ecim tutje me një komunikim me partitë e tjera jo në mënyrën për t'i intimiduar deputetët e tjerë, pra mënyra dhe koha se si u zgjodh ishte e papërshtatshme”.

Edhe takimi i dështuar mes kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe atij të PDK-së, Memli Krasniqi ka lënë pak mundësi për ndonjë dakordim të shpejtë që do të shkonte në dobi të krijimit të institucioneve të reja.

“Takimi i djeshëm ne një mënyrë sikur ia ka mbyllur derën dialogut politik sepse tash partitë e tjera do ta shohin z. Kurti si person që nuk e mban fjalën, nuk është i sinqertë, pra është manipulotaor, pra këto janë gabime që mund t'i kushtojnë Vetëvendosjes dhe z. Kurtit në të ardhmen”, shton Arifi.

Pasojat e mungesës së komunikimit mes subjekteve politike do të shihen edhe në faza të mëvonshme, kur do të kërkohet konsensusi politik për çështje të ndryshme në Kuvend: “Do të kemi problematika në të ardhmen e afërt për ligje të ndryshme kur ne nuk do të mund t’i sigurojmë as 61 deputetë e të mos flasim për atë që duhet 82, për 2/3 për ndonjë vendim shumë më të rëndësishëm e mos të harrojmë që kemi edhe zgjedhjen e Presidentit, pra nuk po dëshirojmë të ndërtojmë një urë të komunikimit e të bashkëpunimit që t’i tejkalojmë këto faza ku duhet të kemi një mirëkuptim”.

Të shtunën do të bëhet përpjekja e dhjetë për konstituimin e Kuvendit me pikat e mbetura që është zjedhja e kryeatrit dhe nënkryetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos