Puna e Kuvendit të Kosovës, deputetët me shumë mungesa. Lista Serbe vijon bojkotin

Nga Ideal Gola
10 Shtator 2024, 18:00 | Politikë

Në prag të nisjes së sesionit vjeshtor, Kuvendit të Kosovës iu kërkua të shmang mangësitë që kanë karakterizuar sesionin pranveror dhe sesionet e mëhershme, me planifikim të mirëfilltë të seancave e pjesëmarrje të rregullt të deputetëve në punimet e Kuvendit.

Në raportin e publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës konstatohet se Kuvendi gjatë sesionit pranveror ka shënuar rënie në aktivitetin e tij, duke vënë theksin se për gjithsej 13 javë pune nuk janë organizuar fare seanca, siç shkruan A2. Ndërsa nga janari deri në fund të muajit korrik, Kuvendi zhvilloi 29 seanca.

Kuvendit iu kërkua rritje të mbikëqyrjes ndaj Qeverisë, pasi gjatë sesionit të kaluar nuk e kishin ftuar kryeministrin Albin Kurti dhe asnjë nga ministrat në interpelancë apo raportim.

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, deklaroi: “Sa i përket rolit mbikëqyrës të Kuvendit, ky rol nuk është përmbushur kënaqshëm përgjatë këtij sesioni. Vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe deputetët nuk kanë ftuar asnjëherë në raportim kryeministrin edhe pse ka pasur zhvillime të rëndësishme për vendin që është dashur të kenë vëmendjen më të madhe të Kuvendit”.

Deputetët munguan 525 herë, apo mesatarisht për çdo seancë munguan 24,3% e deputetëve. 
Përgjatë sesionit pranveror janë miratuar vetëm 36 projektligje, duke bërë që agjenda e Kuvendit të përmbushet vetëm 28%. Një situatë më e mirë nuk pritet as në sesionin vjeshtor për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në shkurt.

“Zgjedhjet do të ndikojnë shumë në performancën e sesionit vjeshtor, megjithatë duke pasur parasysh se kanë mbetur shumë pika të patrajtuara nga sesioni pranveror siç e keni pa edhe seanca e kësaj të enjte është me pika të bartura. Deputetët duhet t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe këtyre përfundimit të këtyre pikave”, deklaroi Haxholli.

Edhe në sesionin pranveror ka vijuar bojkoti i 10 deputetëve serbë të Listës Serbe, të cilët vijojnë të paguhen pa shkuar në seanca: “Mungesat e tyre jo vetëm në seanca, por edhe në mbledhjen e Komisionit për Komunitete dhe Kthim ku kjo parti ka përfaqësimin më të madh ka sabotuar punën e këtij komisioni dhe kështu komuniteti serb konsiderojmë se mbetet i papërfaqësuar nga ky subjekt politik dhe është dëmtuar për shkak se ka shumë çështje që ata duhet t'i përfaqësonin”.

Gjithashtu, rol më aktiv iu kërkua edhe kryetarit të Kuvendit në zbatimin e Rregullores dhe garantimin e transparencës së Kuvendit ndaj publikut, ndërsa u shfaq nevoja për miratimin e Kodit të sjelljes së deputetëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos