Serbia nis “luftën e letrave”, Asambleja Parlamentare e KiE zbulon datat e rëndësishme për Kosovën

Nga Xhevahir Qardaku
5 Prill 2024, 15:48 | Politikë

Këshilli i Evropës ka publikuar agjendën me datat e rëndësishme për sesionin pranveror. Debati në Asamblenë Parlamentare në Strasburg për aplikimin e Kosovës do të zhvillohet më 16 prill. Aty do të kërkohet një opinion nga përfaqësues të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës lidhur me opinionin e paraqitur nga relatorja Dora Bakojanis.

Dokumenti në fjalë u miratua me sukses të mërkurën e kaluar në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci me 31 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Fitore të mëdha të Kosovës konsiderohen mungesa e kushteve shtesë para anëtarësimit dhe njohja si shtet me të drejta të plota. Në opinionin e miratuar të Bakojanis theksohet se vendet anëtare duhet të lënë anash qëndrimet individuale për shtetësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës përfundon me votimin në Komitetin e Ministrave të organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në një seancë që pritet të mbahet në maj. Por nga ana tjetër, Serbia ka nisur luftën e letrave “non paper” për ta penguar pranimin e Kosovës dhe ndryshuar qëndrimet e disa vendeve anëtare.

Qeveria në Beograd ka krijuar “grupin e luftës” me urdhër të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe në media raportohet se është përpiluar letra e parë që do tu dërgohet vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Novosti shkruan se Serbia në “non paper-in” e saj do të listojë të gjitha pretendimet për sulme ndaj serbëve, sekuestrimin e pronave, përdhosjen e vendeve të shenjta, gjyqet e inskenuara, por edhe rrezikun e krijimit të një precedenti nëse Kosova, e cila nuk ka ulëse në Kombet e Bashkuara, të pranohet në organizatë.

Ivica Daçiç, që drejton kryeministrinë pas largimit të Ana Brnabiç, pretendoi se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po bëhet me dhunë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos