Sigurohen pagat e RTK, qeveria shpronëson tokën për fabrikën e municioneve

Nga Ideal Gola
27 Nëntor 2025, 23:26 | Politikë

Qeveria në detyrë e Kosovës shpronësoi mbi 100 hektarë tokë në fshatin Jahoc të Gjakovës për të ngritur Zonën Industriale të Mbrojtjes. Aty do të vendoset fabrika e municionit, por do të ketë hapësirë edhe për prodhues të ndryshëm të produkteve ushtarakë që duan të ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Municionet e para “Made in Kosova” pritet të prodhohen në fund të vitit të ardhshëm.

“Ndërtimi i kësaj fabrike për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk, 'MKE' do të përfundojë brenda muajit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Përveç fabrikës së municioneve, kjo zonë do t’i shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojmë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarakë dhe civilë: 'Made in Kosova'”, tha Kurti.

Qeveria në detyrë në mbledhjen e së enjtes mori vendim edhe për ndarjen e 4 milionë e 480 mijë eurove për 700 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës të cilët nuk kanë marr pagat nga muaji tetor. 

RTK që është themeluar e mbikëqyret nga Kuvendi i Kosovës gjatë këtij viti ka pasur vështirësi financiare për shkak të mungesës së institucioneve të reja pas zgjedhjeve të shkurtit: “Kemi shqyrtuar disa opsione të mundshme për të dalë nga kjo situatë. Në këtë mbledhje mjetet e nevojshme po ndahen nga kategoria e kursimeve. Kjo zgjidhje e sotme apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është veçse një improvizim i detyruar pas përpjekjeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për ta miratuar aty buxhetin e RTK-së”.

Kurti ndau edhe 250 mijë euro për përfaqësuesen e Kosovës në futboll pas suksesit historik që arriti të sigurojë “play off” në kualifikueset e Botërorit.

Ai premtoi shpërblime të tjera për futbollistët “dardanë” në rast se arrijnë të sigurojnë pjesëmarrjen në Botërorin e vitit të ardhshëm: “Së pari në rast të fitores ndaj Sllovakisë zotohemi për shpërblim me vlerë prej 500 mijë euro dhe së dyti në rast të kualifikimit në Kupën e Botës zotohemi edhe për 1 milion euro të tjera shpërblim. Përpara Kosovë, gjithmonë me ty”.

Përpos këtyre tre pikave, në të njëjtën mbledhje, Qeveria në detyrë e Kosovës nxori edhe 15 vendime të tjera.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos