
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është “ka shumë pak mundësi” që Shtetet e Bashkuara të sulmojnë sërish Iranin, për sa kohë që ka përparim në negociatat për programin bërthamor të Teheranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Në një intervistë telefonike 20-minutëshe për CNN, Trump e përsëriti pesë herë se një përshkallëzim i ri ushtarak nuk është skenari që ai pret, por paralajmëroi se Uashingtoni është i gatshëm të ndërhyjë nëse nuk arrihet një marrëveshje.
“Varet nëse ata nënshkruajnë një marrëveshje solide. Përgjigjja është se është shumë pak e mundshme të nisim sulme të reja”, u shpreh Trump, duke iu referuar Iranit, shkruan A2.
Ai pretendoi se ekonomia iraniane po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të sanksioneve dhe presionit amerikan, ndërsa shtoi se SHBA-ja e ka goditur rëndë Iranin edhe në aspektin ushtarak.
Megjithëse shprehu preferencën për një zgjidhje diplomatike, presidenti amerikan bëri të qartë se ushtria amerikane është në gatishmëri të plotë në rajon. Trump tha gjithashtu se ushtria amerikane ka identifikuar objektiva infrastrukturore brenda Iranit, përfshirë termocentrale dhe ura, të cilat mund të goditen në rast të rifillimit të operacioneve ushtarake.
Sipas tij, SHBA-ja ka identifikuar 38 ura që mund të shkatërrohen brenda një ore.
Megjithatë, Trump theksoi se nuk dëshiron të shkatërrojë infrastrukturën iraniane, duke argumentuar se rindërtimi i saj mund të kërkojë deri në 10 vjet.
Tetë muaj pas nisjes së luftës, situata mes dy vendeve mbetet në një ngërç, me pak veprime të rëndësishme ushtarake dhe pa përparim të dukshëm diplomatik.
Ndërkohë, kalimi i cisternave të naftës në Ngushticën e Hormuzit është përballur me sulme iraniane, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e furnizimit global me energji.
Negociatat mes dy vendeve, ku Katari ka luajtur rolin e ndërmjetësit, mbeten të paqarta. Teherani kërkon të ruajë programin e tij bërthamor për qëllime që i cilëson paqësore, si dhe kontrollin mbi ngushticën strategjike.
Nga ana tjetër, Uashingtoni po shton presionin ekonomik dhe ushtarak ndaj Iranit. Ushtria amerikane ka ofruar një shpërblim deri në 20 milionë dollarë për informacione mbi programin bërthamor iranian, ndërsa ka ngritur një task-forcë për të penguar transportimin e armëve dhe materialeve të avancuara nga Teherani përmes rrugëve tokësore.
(A2 Televizion)