Vrasjet në Kosovë, Albin Kurti reagon në mbledhjen e qeverisë

Nga A2 CNN
26 Mars 2025, 09:49 | Politikë

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë, ka folur për vrasjet e fundit që kanë tronditur Kosovën.

“Fillimisht, dua të ndaj shqetësimin dhe brengën e njëjtë me të gjithë ju këtu të pranishëm dhe bashkëqytetarët tanë në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve në mënyrë që edhe të vihet drejtësi, edhe të parandalohen raste të tilla në të ardhmen”, tha Kurti, shkruan A2.

“Vrasja është akti më i rëndë që mund t'ia bëjë njeriu njeriut. Ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet, vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe shoqërisë e të cilës ai njeri bënte pjesë, pra shoqërisë sonë. Gjithë vendi është tronditur e është lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, të dënohet. Na duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne, për secilin prej nesh. Edhe për faktin që këto vrasjet ndodhën në javën kur shënojnë 26-vjetorin e fillimit të fushatës së bombardimit të NATO-s në Kosovë për ta ndalur gjenocidin e Serbisë dhe përkujtojmë masakrat e njëpasnjëshme të aparatit shtetëror të Serbisë që synonte shfarosjen e popullit shqiptar”, shtoi kryeministri i Kosovës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos