Tri ankesa në Supreme, certifikimi i rezultateve pritet javën e ardhshme

Nga Ideal Gola
21 Mars 2025, 20:22 | Politikë

Lëvizja Vetëvendosje ka vijuar betejën për të përsëritur votimin me postë edhe në Gjykatën Supreme. Kjo parti ka depozituar ankesë kundër vendimit të Panelit Zgjedhor që hodhi poshtë të njëjtën kërkesë ditë më parë. Vetëvendosje gjithashtu kërkon që t’i hiqen rreth 19 mijë vota Lidhjes Demokratike të Kosovës pasi pretendon se ka manipuluar në këtë proces.

Gjykata Supreme konfirmoi se përpos Lëvizjes Vetëvendosje, kundër vendimeve të PZAP, ka pasur edhe dy ankesa të tjera, nga kandidati për deputet i PDK-së, Petrit Hajdari dhe nga koalicioni i partive minoritare PDAK-LPK.

Kjo periudhë ankesash është edhe akti i fundit para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Gjykata Supreme ka afat ligjor prej tri ditësh për të shqyrtuar rastet dhe për të marr vendimet përkatëse. Me përfundimin e kësaj faze mbetet vetëm hapi i fundit certifikimi i rezultateve zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Melosh Kolshi nga IKD.

Procesi zgjedhor pritet të përfundojë gjatë javës së ardhshme.

“Certifikimi i rezultateve zyrtare mund të ndodhë brenda pak ditësh pas vendimeve të Supremes dhe kështu mbyllja e plotë e procesit zgjedhor mund të pritet në versionin më të mirë të mundshëm gjatë javës së ardhshme”, shtoi Kolshi.

Certifikimi i rezultateve i hap zyrtarisht rrugë formimit të institucioneve të reja dhe rrjedhjen e afateve ligjore.

“Nga momenti i certifikimit të rezultateve në hyjmë në fazën e themelimit të Kuvendit, pra duhet të mblidhet seanca e Kuvendit, duhet të thirret brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”, tha Vullnet Bugaqku nga KDI.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së tij. Ndërsa më pas do të fillojnë afatet për Qeverinë e re, dështimi për votimin e së cilës mund ta çojë vendin edhe në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Ne mund ta kemi krijimin e Kuvendit por mund të kemi pengesa në krijimin e Qeverisë dhe kur të krijohet Kuvendi i Kosovës afatet pastaj janë të qarta dhe nëse dështon herën e parë dhe të dytë [v.j. votimi i Qeverisë] atëherë do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme me një vendim të presidentes [v.j. Vjosa Osmani] ose do të skadojë afati 60 ditor i themelimit të Qeverisë dhe në rast se nuk përmbushet, nuk emërohet Qeveria brenda 60 ditëve ne shkojmë në zgjedhje sepse ashtu e përcakton edhe vet kushtetuta”, shtoi Bugaqku.

Themelimi i Qeverisë së re pritet të jetë sfidues për partitë politike, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do të bashkëpunojë me asnjë parti opozitare të madhe, ndërsa nga blloku opozitar duan të formojnë qeverinë ata dhe të çojnë Kurtin në opozitë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos