Osmani: Kërkojmë garanci ndërkombëtare për Asociacionin

Nga A2 CNN
11 Korrik 2024, 09:32 | Politikë

Osmani: Kërkojmë garanci ndërkombëtare për Asociacionin

Në një intervistë për Zërin e Amerikës presidentja e Kosovës Vjosa Osmani thotë se vendi i saj kërkon garanci nga partnerët ndërkombëtare për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit. Osmani iu referua kryesisht çështjes së Asociacionit, pikës më të nxehtë në mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Osmani foli për garanci për sigurinë, e mbështetje ndërkombëtare për anëtarësim e Kosovës në organizata ndërkombëtare, çka do të sillte siç tha, më shumë paqe e siguri në rajon.

Ajo shtoi se Kosova nuk po kërkon t'i largohet detyrimeve të saj, por që të ketë sikurse tha "zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka detyrime për Kosovën, por dhe deyrime të qarta për Serbinë, të cilat në tërësinë e tyre nënkuptojnë njohje de fakto të Republikës së Kosovës".

"Nuk mundet Serbia të deklarohet hapur dhe të dërgojë letër nga ana e Kryeministres që po tërhiqen në tërësi dhe nuk do ta zbatojnë marrëveshjen dhe ne të ofrohemi si vullnetarë që gjithçka të zbatojmë pa marrë garanci në anën tjetër.

Ajo çfarë e kam thënë edhe në intervistën e fundit në fakt për Zërin e Amerikës para pak muajsh kur isha në seancën e Këshillit të Sigurimit, është kjo: në qoftë se të gjithë jemi të bindur edhe ne edhe partnerët tanë që Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes, atëherë ne duhet t’i rikthehemi strategjisë së viteve 2007-2008, në kohën kur bëheshin negociatat për statusin e Kosovës. Marrëveshja jonë, dakordimi ynë, ka qenë me partnerët, jo me Serbinë, sepse Serbia nuk e donte Ahtisaarin dhe neve na duhet një dakordim i tillë.

Nëse Kosova do t’i zbatojë të gjitha këto detyrime që i ka marrë, na duhen garanci për sigurinë, mbështetje ndërkombëtare, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo si transaksion, por si projekt i cili përfundimisht e mbyllë këtë temë dhe sjell më shumë paqe e siguri në rajon", tha Osmani. 

Presidentja Osmani i bëri komentet ndërsa ndodhet në Uashington me ftesë të Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken për të marrë pjesë në takime që mbahen në kuadër të takimit të nivelit të lartë të NATO-s.

Të martën Departamenti amerikan i Shtetit organizoi një takim për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ku mori pjesë edhe presidentja Osmani.

Zyra e presidentes Osmani është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve global nga zyra e sekretarit Blinken për të themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos