Historiani nga Kosova, Jusuf Boxhovi, është shprehur se Dhomat e Spacializuara për Kosovën në Gjykatën e Hagës janë të domosdoshme për të zbardhur krimet e kryera gjatë luftës.
Komentet Boxhovi i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se Gjykata Speciale për krimet e luftës u krijuan thuajse në të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, pavarësisht se sipas tij, gjykimet në disa raste mund të kenë qenë edhe farsë.
Ai shtoi gjithashtu se që në momentin që ka zbarkuar NATO në Kosovë deri një vit më vonë, në Kosovë janë kryer mbi 600 vrasje, që ende nuk dihet se përse dhe si janë kryer.
“Gjykata e Hagës dhe Dhomat e Specializuara nuk kanë zbritur nga qielli. Ajo ka ardhur në një përfundim që të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë duhet të krijojnë gjykatat e tyre, për të hetuar krimet e luftës. Në Kosovë, në periudhën kur ka hyrë NATO deri 1 vit më vonë janë vrarë mbi 600 vetë.
Janë vrarë 106 aktivistë të LDK-së. Janë vrarë 116 anëtarë të UÇK-së, përfshirë disa komandatë. Janë vrarë edhe 400 pjesëtarë të minoriteteve të ndryshme. Shumë prej tyre nuk dihet pse dhe kush i ka vrarë. Kanë kaluar disa vite dhe Kosova nuk i kryer këto hetime.
I ka kryer Serbia, Kroacia dhe të gjitha të tjerat, pavarësisht se çfarë kanë qenë ato, Gjykata apo farsa ndonjëherë. Prandaj ka ardhur një pikë kur duhet të krijohej prej Europianëve. Gjykata e Hagës më shumë po përhetohet si një qërim hesapesh mes forcave politike”, tha mes të tjerash historiani. (A2 Televizion)