Vengu në Kosovë: Ushtria jonë gati për t’ju mbrojtur, Maqedonci paralajmëron skeptikët

Nga A2 CNN
30 Gusht 2024, 13:16 | Politikë

Zgjerimi i bashkëpunimit midis vendeve, përsa i përket fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, ka qenë në fokus të takimit të ministrit të mbrojtjes së Shqipërisë me homologun e tij në Kosovë, Ejup Maqedonci. Në konferencën e përbashkët për mediat Maqedonci theksoi se me ushtrinë dhe qeverinë shqiptare bashkëpunojnë në vazhdimësi për t’u përballur me çdo rrezik e kërcënim sa i përket sigurisë së vendit.

“Dua tua bëj të qartë të gjithë aktorëve dhe forcave që kanë mëdyshje që ne me Republikën e Shqipërisë e ushtrinë shqiptare kemi qenë e bashkëpunojmë në vazhdimësi për t’u përballur me çdo sfidë e rrezik e kërcënim  që synon të cenojë trashëgiminë tonë, vlerat dhe sigurinë tonë të përbashkët. Jemi pjesë e shumë e iniciativave rajonale dhe synimi ynë është që në të ardhmen të jemi pjesë e NATO-s dhe strukturave të tjera euroatlantike”, tha Maqedonci, transmeton A2.

Nga ana e tij ministri shqiptar theksoi se shtimi i trupave në Kosovë ka ndodhur në kuadër të aleancës dhe komandimit të përbashkët.

“KFOR është një instrument për siguri kolektive që duhet bashkëpunuar në çdo rrethanë. Këtë nënvizova në takim se Shqipëria ka kontribut të posaçëm dhe ndjejmë përgjegjësi shtesë dhe privilegj për të ndihmuar që Kosova të kthehet në aktor që kontribuon në sigurinë kolektive. Kemi shtuar trupat nga rritja e gatishmërisë fundit në kuadër të Aleancës. Është një komandim i përbashkët dhe ka një rishikim periodik që bëhet situatës së sigurisë. Nëse është nevoja, edhe Shqipëria do t’i bashkëngjitet nëse është nevoja. Jemi në gatishmëri, nuk ka asnjë rezervë. Nuk është një vendimmarrje që i përket vetëm Shqipërisë, është një vendimmarrje kolektive”, theksoi Vengu, raporton A2.

Më herët ministri shqiptar u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ku e vunë theksin në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, stabilitetin rajonal dhe ndërveprimin e domosdoshëm me aleatët për një konsolidim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos