Mazllum Baraliu, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në një lidhje direkte me studion e emisionit “Terminal” në A2CNN, komentoi ngërçin politik në Kosovë me zgjedhjen e Presidentit të ri.
“Është veprim i gabuar, i pamatur mbase, edhe një perceptim i gabuar i zonjës Presidente, e cila këtë dekret të saj e ka bazuar në nenin 85 të paragrafit 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili thotë se zgjedhja e Presidentit të ri do të duhej të bëhej më së vonit 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Kjo dispozitë nuk është e definuar dhe semantikisht nuk është e plotë, nuk është e definuar, nuk është taksative dhe nuk është e qartë sepse nuk thotë se çfarë pasojash prodhon moszgjedhja e Presidentit të ri në një afat prej 30 ditësh”, tha Baraliu.
“Është një kushtetutë që ka përsëritje dhe ka dualizma në dispozitat e saj e thotë kur dhe kush mund ta shpërndajë Kuvendin. Kushtetuta thotë që “Kuvendi shpërndahet nëse brenda 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës të zgjedhjes së Presidentit, Presidenti i ri i Republikës nuk zgjidhet. Pikërisht kështu ka ndodhur në seancën e fundit, e cila është ndërprerë në pamundësi të vazhdohet sipas Kushtetutës dhe rregullores së punës së Kuvendit. Presidentja e vendit ka bërë një ndërhyrje që edhe mund të interpretohet nga disa si një grushtet në thonjëza sepse ka ndërprerë një procedurë që është legjitime, është taksative në Kushtetutë dhe do duhej procedura për zgjedhjen e Presidentit të vazhdonte edhe 58 ditë të tjera, ndërkohë që ajo ka shpërndarë Parlamentin dhe tani ka pamundësuar rrjedhjen e tij pas 23 ditësh dhe funksionalizimin me shumë punë dhe detyra që Parlamenti i Kosovës ka pasur në rend pune, në rend dite, pra siç janë për shembull disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë qindra milionëshe. Mendoj që është e qartë, është e shkruar, madje nuk ka nevojë për asnjë interpretim që në Kushtetutë që thjesht ky veprim i Presidentes me këtë dekret është i ngutshëm dhe do të thosha me pasoja të pariparueshme”, shtoi Baraliu. (A2 Televizion)