Dekreti i Osmanit, Kurti: Antikushtetues, shpejt do të kuptohet skema

Nga Ideal Gola
6 Mars 2026, 19:06 | Politikë

Kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se shpejtë do të kuptohet skema me vendimin e presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Parlamentin dhe për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në një konferencë për media në Kryeministri, Kurti mohoi të jetë përgjegjës për situatën duke listuar veprimet që ka bërë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

“Shumë gjëra janë vështirë të kuptueshme tani, aq më vështirë të shpjegueshme, ndoshta deri diku të përshkrueshme, por koha do të tregojë, dhe atë shumë shpejtë, se çfarë ka qenë ky lloj plani, a kjo lloj skeme që neve të detyrohemi për zgjedhje të përsëritura në mënyrë të padrejtë e të panevojshme”, deklaroi kryeministri Albin Kurti.

Kurti refuzoi të komentonte cilësimet e Osmanit se situata erdhi deri në këtë pikë nga persona me qëllime të rrezikshme. Sipas tij, ajo nuk ka përmendur emra.

“Nëse flasim për njerëz të përveçëm unë nuk e di që jemi përmendur aty, nëse ju keni të drejtë, sërish unë besoj që përgjigjen duhet ta kërkoni tek ata që e thanë jo tek hamendësimi ose kush mund të jenë ata”, theksoi Kurti.

Kurti insistoi se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve është antikushtetuese, prandaj kërkoi që të pritet vendimi i Kushtetueses,

Ai kujtoi një nen kushtetues që thotë se Kuvendi ka kohë 60 ditë për të zgjedhur presidentin nga nisja e procedurës dhe nëse nuk ka një votim të suksesshëm atëherë shpërndahet Kuvendi.

“Konsiderojmë që i kemi 60 ditë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që ta bëjmë një zgjidhje e të mos kemi zgjedhje”, u shpreh kryeministri.

Kurti tha se pas Murat Jasharit, kishte propozuar edhe Andin Hotin, të birin e veprimtarit Ukshin Hoti, por që ishte refuzuar nga partitë opozitare. Sipas tij, PDK dhe LDK nuk propozuan asnjë emër.

Sipas tij, zgjedhjet nuk janë zgjidhje pasi askush nuk do të marr 80 vota dhe do të duhet të ulen sërish të bisedojnë.

“Unë nuk besoj qe zgjedhjet e përsëritura janë zgjidhje e re, përkundrazi do të ketë një lloj vazhdimi të agonisë legjislative, institucionale, në përgjithësi që është e panevojshme përveçse e padrejtë dhe së paku zgjedhjet do të kushtojnë 10 milionë euro”, deklaroi Kurti.

Në lidhje me moskandidimin e Vjosa Osmanit, kryeministri Kurti sqaroi se presidentja aktuale nuk ishte figurë konsensuale dhe nuk garantonte kuorumin e nevojshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos