Procesi për largimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore dështoi. Votimi u bojkotua nga qytetarë të nacionalitetit serb, por edhe shqiptarë të cilët nuk iu përgjigjen thirrjeve për të shprehur vullnetin e tyre nëse janë pro apo kundër largimit të këtyre kryetarëve. Rrjedhimisht, Erden Atiq, Izmir Zeqiri, Lulzim Hetemi si dhe Ilir Peci do të vijojnë të drejtojnë komunat e tyre respektive, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
E diela e 21 prillit ishte e qetë në veriun e Kosovës dhe në një mot të ftohtë e me shi vetëm 253 qytetarë iu drejtuan kutive të votimit. Autoritetet në Kosovë bën fajtor Beogradin zyrtar dhe Listën Serbe për pjesëmarrjen e ulët.
“Presioni kam bizotëruar, kjo është më rëndësi të themi, presioni dhe jo bojkoti, por presioni matanë lumit nga kjo parti politike që quhet Lista Serbe, mirëpo ajo është domen politik mirëpo aspekti i sigurisë që ishte e qetë”, tha Arben Dashevci eksperti sigurisë.
Lista Serbë bëri thirrje për bojkot të procesit me pretendime se ishte një farsë, por në veri thonë se ky subjekt politik i dirigjuar nga Beogradi veproi kështu pasi e ka kuptuar që nuk e ka mbështjen e nevojshme për të rrëzuar kryetarët aktualë.
“Lista Serbe ka pasur një shkëputje në raport me qytetarin, nuk e ka trajtuar qytetarin në nivelin që meriton dhe sipas ligjeve të Kosovës, por e ka përdorur, i ka kërkuar të veprojë sipas urdhrave të tyre, nëse të urdhëroj të bësh probleme i kanë nxjerrë në rrugë, i kanë detyruar të protestojnë”, u shpreh Izmir Zeqiri, kryetari Zubin Potokut.
Pavarësisht se referendumi u mbyll dhe se nuk priten zgjedhje të reja në këto komuna, sfidat e sigurisë janë aty. Strukturat paralele krijojnë një situatë të pazakontë edhe për Policinë e Kosovës.
“Në Gjilan ose në Pejë, kryetari i Komunës jep urdhër dhe e ka një Drejtori të Arsimit që funksion me shkolla, kemi spitalin, shërbimet shëndetësore të cilat janë nën ombrellën e Komunës mirëpo këtu paraqesin si sfida më vete në momentin që shteti i Serbisë ka fuqi dhe i paguan punëtorët shëndetësorë, të arsimit, ai ka fuqi mbi ta”, deklaroi Veton Elshani Zv/Drejtor i Policisë Së Veriut.
Izmir Zeqiri do të vijojë të mbetet kryetar i Zubin Potokut pasi procesi për ta shkarkuar atë dështoi. Ai thotë se do të jetë kryetar për të gjithë qytetarët e komunës së tij dhe do të bëjë punë të mira deri në përfundim të mandatit të rregullt.
“Çfarë janë bindur serbët është se unë nuk i bindem bandave, serbët e dinë këtë. Që bandat nuk mund të ndikojnë në punën time si kryetar i komunës. Besoj që me këto kapacitete mjaft te vogla që i kemi ka me pas ndikim në jetën e qytetarit”, u shpreh Izmir Zeqiri, Kryetar i Zubin Potokut.
Më shumë investime do të ndikonin edhe në një ambient me të sigurt për të gjithë qytetarët në veri.
“Ne konsiderojmë po ashtu nga aspekti i sigurisë që zhvillimi më i mirë ekonomik, një qasje gjithëpërfshirëse e Qeverisë, të gjitha dikasterve, ministrive, këtu në veri duhet të jetë më e madhe, që të ketë investime më shumë, zhvillim, në mënyrë që qytetarët të ecin përpara”, Veton Elshani Zv/Drejtori Policisë Së Veriut.
Akti terrorist i Banjskës ka ndikuar që jo vetëm policia por edhe institucionet e tjera të sigurisë të jenë më vigjilente karshi kërcënimeve të mundshme të sigurisë, shpesh të paralajmëruara edhe nga agjencitë e huaja të inteligjencës.
“Tash na ka ndodhur 24 shtatori, dhe nuk mund të krahasohet viti 2023 me vitin 2024 duke pasur parasysh që na ka ndodhur 24shtatori dhe mbas 24 shtatorit asgjë me nuk mund të jetë e njëjtë në Republikën e Kosovës”, Arben Dashevci, Eksperti Sigurisë.
21 prilli perëndoi në qetësi por veriu mbetet një zonë e paparashikuar e sigurisë që shfrytëzohet për të nxjerrë në pah edhe dëshirat e Beogradit për të sjellë një tjetër realitet në rajon. (A2 Televizion)