Lëvizja Vetëvendosje, me anë të një deklarate për mediat, deklaroi se "njoftimi i publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues".
"Ai është në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve", shprehet Vetëvendosje, shkruan A2.
Deklarata e plotë e Vetëvendosjes:
Njoftimi i publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues. Ai është në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve.
Gjykata Kushtetuese është një organ i pavarur që ka për detyrë të interpretojë dhe kontrollojë përputhshmërinë e ligjeve apo akteve të tjera me Kushtetutën, brenda juridiksionit të vet.
Njoftimi nuk ka qartësuar asgjë tjetër veçse që Gjykata ka tejkaluar kompetencat kushtetuese. Gjykata nuk e ka të drejtën që të krijojë norma të reja juridike apo të imponojë rregulla që nuk kanë bazë në Kushtetutë.
Gjykata ka zgjedhur të shpikë arbitrarisht rregulla. Shpikja e rregullave tërësisht të reja në mes të procesit dhe ndërhyrja në mënyrë substanciale në kompetencat e Kuvendit është cënim i rendit kushtetues.
Kushtetutën e miraton dhe e ndërron Kuvendi. Marrja e kësaj kompetencë duke uzurpuar rolin kushtetues të Kuvendit është goditje e sistemit demokratik që ka burimin te sovrani. Nuk ka forma të tjera të njohura të shkrimit e rishkrimit, miratimit e ndryshimit të Kushtetutës. Ato i bën ose Kuvendi ose Referendumi popullor. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë subjekte as të njërës, as të tjetrës. Kur një organ që duhet të jetë gardian i Kushtetutës fillon të prodhojë norma të reja ose të plotësojë norma që nuk janë paraparë as në Kushtetutë, as nga legjislativi, atëherë transformohet në një organ jashtëkushtetues.
Ku, saktësisht, shkruhet në Kushtetutë, në Rregulloren e Kuvendit, në Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO119/14 apo në Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25, apo në jurisprudencën ndërkombëtare se grupi më i madh parlamentar ka të drejtë të propozojë të njëjtin kandidat vetëm tri herë? Nga buron kjo normë? Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë? Ku është lidhja kushtetuese apo doktrinare me numrin tre?
Njoftimi i Gjykatës paralajmëron se Aktgjykimi që pritet të dalë do ta cënojë rëndë ndarjen e pushteteve. Rast i paprecedentë dhe ndërhyrje flagrante në kompetencat e Kuvendit. Gjykata nuk mund të uzurpojë funksionin e hartimit apo amandamentimit të Rregullores së Kuvendit, sepse kjo përbën shkelje të Kushtetutës, përkatësisht parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve, i cili është një ndër shtyllat e demokracisë parlamentare.
Rregullat e reja të paralajmëruara nga Gjykata Kushtetuese nëse nuk janë në Kushtetutë dhe as në Rregulloren e Kuvendit nuk mund të jenë në asnjë Aktgjykim.
Vendimi pasqyron motive partiake. Sa herë që Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet të veprojë sipas rregullave që më herët janë vendosur nga vet Gjykata si jurisprudencë në raste analoge, sikur Aktgjykimi i vitit 2014, ato rregulla po i ndryshon vet Gjykata.
Përmasa partiake e vendimit dallohet edhe nga fokusi krejtësisht i panevojshëm tek Kryesuesi i seancës konstituive z. Avni Dehari. Të njëjtin efekt juridik do të kishte lidhur me rendin e ditës pa e subjektivizuar me figurën e Kryesuesit e seancës. Sepse, tek e fundit, Kryesuesi i seancës konstituive nuk është subjekt kushtetues, vetëm Kuvendi është. Kryesuesi i seancës konstituive është vetëm subjekt i Rregullores së Kuvendit. Duke e spikatur vetëm Kryesuesin e seancës pa asnjë justifikim juridik, zbulohet qartazi që qëllimi ishte etiketimi politik i figurës së tij sipas fjalorit të partive opozitare.
Nëse Kryesuesi i seancës konstituive paska vepruar gabimisht kur u ka kërkuar deputetëve të votojnë për, kundër apo abstenim për sa i përket komisionit për votim të fshehtë, është e pakuptueshme pse Gjykata nuk e ka konstatuar këtë shkelje në Aktgjykimin KO 124/25, të shpallur më 26 qershor i cili është nxjerrë pasi Kryesuesi i seancës kishte filluar tashmë thirrjen për votim të komisionit prej 1 majit 2025.
Gjykata duket qartë se ka zgjedhur të mbajë anë duke prekur në mënyrë serioze parimet demokratike dhe sfiduar vullnetin popullor.
Ky është një paralajmërim serioz për rrezikun e një pushteti juridik të pakontrolluar, që në vend të kontrollit të pushteteve të tjera, vetë bëhet burim i kapjes institucionale. (A2 Televizion)