Sociologu Gëzim Tushe tregon arsyet që i çojnë gratë në divorc

Nga A2 CNN
17 Prill 2026, 11:13 | Sociale

Sociologu Gëzim Tushe foli në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, ku analizoi shkaqet kryesore që po çojnë në rritjen e divorceve, veçanërisht kur kërkesa vjen nga gratë.

Sipas tij, shpesh martesa përballet me kriza që në fillimet e saj. “Sapo hyn në martesë duket sikur ke rënë në një grackë dhe fillojnë të dalin ngërçet e palëve, kërkon individualitetin e vet, nuk bien dakord për ndarjen e detyrave në familje, secili bëhet egoist, egocentrik, vendos veten në qendër,” u shpreh Tushe.

Ai theksoi se ndryshimi i rolit dhe vetëdijes së grave në shoqërinë moderne është një faktor kyç. “Pse te ne numrin më të madh të divorceve e kërkojnë femrat? Femrat e sotshme janë më të mira se femrat e djeshme, në mënyrë të padiskutueshme, edhe konceptualisht, edhe intelektualisht, edhe më të bukura, edhe më të mençura, por ato sot kanë një identitet preciz për veten e vete dhe nuk pranojnë më të jenë qenie të skllavëruara. Nuk pranojnë më të jenë qenie të dorës së dytë.”

Në vijim, sociologu nënvizoi rëndësinë e lirisë dhe respektit në një marrëdhënie bashkëshortore. “E vetmja formulë është ‘të lirë së bashku’. Nëse ia bllokon hapësirën për shkak të xhelozisë, e mbyt tjetrin, i ndalon karrierën…xhelozia fillon të bëhet delirante, e sëmurë, retrospektive.”

Në përfundim, Tushe theksoi se për të shmangur një martesë të rreme apo hipokrite, çiftet duhet të ndërtojnë marrëdhënien mbi vlera të përbashkëta. “Për të mos pasur martesë hipokrite, duhet të kenë parime të përbashkëta,” përfundoi ai.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos