Gjykata Kushtetuese vendosi t’i jap afat shtesë prej 30 ditësh deputetëve për të konstituar Kuvendin e Kosovës.
Në përgjigje të kërkesave të PDK dhe LDK që kontestuan votimin e fshehtë, Kushtetuesja solli vendim që kryeparlamentari i ri të zgjidhet vetëm më votim të hapur.
Kushtetuesja konstatoi se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka respektuar aktgjykimin e parë, pasi nuk ka hedhur në votim kandidatin për kryetar Kuvendi por ka vijuar me ftesën për të votuar komisionin që do të menaxhonte votimin e fshehtë.
Për këtë shkak, Kushtetuesja i ka shpallur të pavlefshme të gjitha seancat nga data 27 qershor e deri më 26 korrik të vitit 2025.
Po ashtu, Kushtetuesja ka kufizuar edhe përpjekjet për të hedhur në votim të njëjtin kandidat për kryetar Kuvendi.
“Urdhërohet kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhjet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për kandidatin/en e njëjtë”.
Kushtetuesja gjithashtu urdhëroi të gjithë deputetët që të jenë të pranishëm dhe të votojnë në rastin kur hidhet në votim kandidati për kryetar të Kuvendit e më pas edhe nënkryetarët.
Kushtetuesja ka lënë në fuqi masën e përkohshme për pezullim të vendimmarrjes së Kuvendit deri në publikimin e plotë të aktgjykimit.
Gjithashtu, me publikimin e plotë të aktgjykimit, pritet të mësohen edhe pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditësh. (A2 Televizion)