“Vetëvendosje po gënjen”, Lista Serbe: Nuk do mbështesim Kurtin për qeverinë

Nga Rosalba Bejdo
16 Prill 2025, 17:55 | Politikë

Lista Serbe nuk do ta përkrahë Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Një qëndrim të tillë partia më e madhe e serbeve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi, e bëri të ditur në një reagim në rrjetin social Facebook. 

“Deklaratat e bashkëpunëtorëve më të afërt të Kurtit për gjoja mbështetjen e paralajmëruar nga deputetët e Listës Serbe, janë një e pavërtetë e pastër. Jemi absolutisht të sigurt se edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes janë të vetëdijshëm për këtë, por gënjeshtrat që po i shpërndajnë shërbejnë qartësisht për lojërat e tyre të brendshme, prandaj i hedhim poshtë publikisht”, tha Lista Serbe.

Lista Serbe, e cila ka fituar 9 nga 10 vendet e garantuara për pakicën serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk përmendi emrat, e bashkëpunëtorëve të Kurtit që sipas saj kishin bërë këto deklarata.

Por më herët ministrja e Jashtme në detyrë Donika Gërvalla, tha se mund të ketë “tendencë nga disa deputetë” të Listës Serbe për të votuar për Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re, me qëllim “për ta njollosur atë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos