Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka hedhur poshtë idenë që presidentja Vjosa Osmani, të rikthehet në LDK. Ai madje vlerësoi se është e tepërt të diskutohet rikthimi i saj në parti politike.
Mbi këtë situatë, si ish-bashkëpartiak i saj, tutje Haziri shton se Osmani duhet të jetë mbi palët.
”Vjosa Osmani është Presidente e Republikës dhe është mbi palët. Ajo do të duhej të ushtronjë rolin e saj kushtetues dhe asgjë tjetër. Ne para tre vitesh, rolin e saj ia kemi besuar në një siguri të vetme, ta zbatojë detyrën e saj kushtetuese dhe të mos lejojë të bëhet pjesë e axhendave politike të Vetëvendosjes”, tha Haziri.
Derisa mbi spekulimet për kthimin e disa funksionarëve të Listës Guxo në LDK, Haziri deklaroi se partia është fokusuar në rikthimin e besimit te qytetarët.
”LDK-së iu kanë kthyer votuesit e saj, por LDK nuk merret me funksionarët e Listës Guxo dhe kjo është politika jonë e viteve të fundit”.
Kritikat e presidentes Osmani ndaj qeverisë Kurti duket se kanë hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por për Hazirin, presidentja duhet të mbetet e përkushtuar vetëm ndaj rolit të saj kushtetues. (A2 Televizion)