Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen më 28 dhjetor. Datën e shpalli presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi nënshkroi vendimin për shpërndarjen e parlamentit. Gjatë konferencës për media, pas takimit që më herët gjatë ditës mbajti me përfaqësuesit e partive politike, Osmani tha se tetë parti ishin për datën 28 dhjetor, pesë për 21 dhjetorin dhe tri parti thanë se cilado datë është në rregull për to.
Presidentes iu desh t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve nëse po favorizonte Lëvizjen Vetëvendosje duke zgjedhur 28 dhjetorin, të preferuar nga kjo parti kryesisht për praninë e emigrantëve me rastin e festave të fundvitit. Duke e cilësuar si pyetje “ofenduese”, Osmani tha se asnjë vendim nuk e merr pa vetëdije dhe kundër interesave të Kosovës.
Nënshkrimi i dekretit për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme erdhi pasi i mandatuari për krijimin e qeverisë, Glauk Konjufca, dështoi të siguronte 61 votat e nevojshme në Kuvend. Pas takimit të Osmanit me udhëheqësit partiakë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, përsëriti qëndrimin se partia e tij nuk ka “vija të kuqe”, por shtoi se “kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi më të afërt” me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njoftoi se partia e tij do të shkojë e vetme në zgjedhjet e reja. Si Haradinaj ashtu edhe Hamza kërkuan që zgjedhjet të mbahen më 21 dhjetor. Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e cilësoi si “lajm të keq” mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. (A2 Televizion)
