Ushtaraku amerikan, Steven Russell, dëshmon në gjyqin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai shoqërohej dhe nga përfaqësues të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Nga prokurori special, Russell u pyet lidhur me çarmatosjen e UÇK-së dhe dorëzimin e armëve tek KFOR-i.
“Ata krijuan një zonë mbledhjeje për armët në zonën tonë, po ashtu dorëzuan disa armë në vendet e magazinimit të armëve, por sa i takon konsistencës së këtyre angazhimeve, nuk ka ndodhur kështu.”
Dëshmitarit iu prezantua një kartë, në të cilën sipas prokurorit shkruhej “Ministria e Rendit Publik- letërnjoftim zyrtar për Selim Krasniqin”.
Russell pohoi se ka parë dhe letërnjoftime të tjera të kësaj natyre, gjithashtu edhe dokumente të paligjshme të qeverisë. Ai konfirmoi se në fillim nuk e dinin se kush ishin shumë prej anëtarëve të qeverisë në atë kohë.
Prokurori më pas kërkoi që dokumenti të paraqitej si provë. Ushtaraku amerikan shpjegon se di ka funksionuar vendosja e rendit mes qershorit dhe shtatorit të vitit 1999.
“Duhet që të kuptoni njësinë ushtarake të madhësisë që kishim ne dhe ne kishim shumë burime që jepnin një vijë ndarëse ndërmjet hetimit dhe policimit dhe kishim gjithashtu edhe një lloj natyre standarde këmbësorie, për të cilin po ashtu ishim përgjëgjës. Kishim njësi të policisë ushtarake të cilat ishin trajnuar për çështje ligjore dhe për policim dhe hetim, kishim gjithashtu edhe shtabin ose departamente të gjykatësve që kishin avokatë të kualifikuar të cilësuar në ushtri dhe këto ishin instanca të ndërlidhura. Përgjegjësia jonë në njësinë e këmbësorisë ishte që ndërkohë që do të haseshim me gjëra të një natyre gjithmonë e më tepër policore, i takonte që ne do të përdornim burime që kishim në dispozicion. Në forcat tona sa më kujtohet mua, ne kemi pasur një batalion të policisë ushtarake dhe kishim kompani që ishin caktuar për sektorë të ndryshëm.”
Në sallë ishin të pranishëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ndërsa Jakup Krasniqi mori pjesë përmes video-lidhjes. (A2 Televizion)