
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime prej 45 vjetësh për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se ky nuk është një akt për kërkim drejtësie por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës. Sipas VV-së po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit duke e trajtuar rezistencën si projekt kriminal të organizuar.
“Kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënime prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një kërkesë neutrale drejtësie, por një ndërhyrje politike në regjistrin e kujtesës dhe të historisë. Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit. Ky është një proces që e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima dhe e paraqet rezistencën ndaj okupimit si krim, ndërsa okupimin si sfond të heshtur.
Pretendimi se “shënjestrimi” paskësh qenë produkt i një fushëveprimi të gjerë të komanduar nga drejtues të UÇK-së është një operacion diskursiv që synon ta zëvendësojë kontekstin politik të luftës me një skemë penale abstrakte: hierarki, urdhër, përgjegjësi. Kjo logjikë e shkëput dhunën nga okupimi dhe e trajton rezistencën si projekt kriminal të organizuar, duke e zhvendosur konfliktin nga raporti real agresor–i shtypur në një narrativë teknike të fajit individual. Duke pretenduar se dënon “persona konkretë”, Prokuroria në fakt synon ta dënojë kuptimin kolektiv të çlirimit, ta depolitizojë luftën dhe ta shndërrojë emancipimin liridashës në krim të përhershëm që “nuk vjetrohet kurrë”. Kjo është përpjekje për ta ngrirë historinë në një aktakuzë, ku krimet e një shteti gjenocidal pushtues relativizohen, ndërsa rezistenca e të përjashtuarve e të shtypurve kriminalizohet si kërcënim ndaj regjimit e rendit që kanë prodhuar dhunën”, thuhet në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale, raporton A2CNN.
Në deklaratë vihet në dukje se gjykata nuk erdhi nga një nevojë e brendshme për drejtësi, por nga një projekt ndërkombëtar i ndërtuar mbi raporte politike, presione diplomatike dhe interesa gjeopolitike, ku Rusia, Serbia dhe aleatët e saj kanë pasur rol aktiv.
Po ashtu theksohet se çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga aktakuza që i shërbejnë narrativës së agresorit.
(A2 Televizion)