Kryeministri Albin Kurti i kërkon ndërkombëtarëve të dalin sa më shpejt me konkluzione të hetimeve dhe t’i vendosin sanksione Serbisë për sulmin në Banjskë.
Duhet të veprojmë tani dhe jo nesër, paralajmëron Kurti, i cili shprehet se dy muaj kanë qenë të mjaftueshme për të arritur në përfundime.
Sipas kryeministrit të Kosovës, ndëshkimi i Beogradit është i domosdoshëm për të parandaluar që ngjarje si ajo e 24 shtatorit të mos përsëriten.
“Është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të BE-së, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-së në njërën anë, por edhe sanksionet, masat ndaj Serbisë në anën tjetër. Nuk mund ta tolerojmë, durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit, si sulm terrorist e kriminal, për këtë arsye duhet të veprohet sot e jo nesër. Për këtë i bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë ta shtrojmë çështjen, kanë kaluar 2 muaj.”
I pyetur për deklaratën e presidentes, Vjosa Osmani se në draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja ka identifikuar disa çështje që krijojnë dykuptimësi, Kurti tha se draftin mund ta bëjnë publik emisarët, pasi siç pohoi, është dakorduar që të mos e zbulojë për publikun.
Ai shtoi se Serbia vijon t’i shkelë nenet e marrëveshjes bazike, dhe nuk është e interesuar për normalizim.
“I përket ndërmjetësit, fasilituesit evropianë që ta bëjnë publik draftin. Pasnesër bëhen nëntë muaj prej se në Bruksel përfundimisht jemi dakorduar për marrëveshjen bazike, gjatë këtyre nëntë muajve, Serbia i ka shkelur së paku 8 nga 11 nenet e marrëveshjes bazike. Tash i përket ndërmjetësit, fasilituesit evropian që ta bëjë publik draftin... ka akterë të ndryshëm që mezi presin që unë të bëj shkeljeje të proceseve e procedurave dhe kjo do e dëmtonte përfaqësimin e Republikës së Kosovës. Sa për mua le ta publikojnë edhe draft-statutin, e kësisoj të hapet edhe rruga për të publikuar edhe në vërejtjet e kritikat tona."
Sipas kreut të ekzekutivit, Serbia ka dëshmuar se Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe synon ta bëjë kundër Kosovës dhe jo për Serbët që jetojnë në vend.
“Nëse Beogradi do të ishte interesuar për serbët do të votonte për përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.” (A2 Televizion)