Sllovenia mbështet Kosovën. Pas anëtarësimit në KiE, hapi i radhës është BE

Nga Erjon Dervishi
15 Prill 2024, 20:19 | Kosova

Përderisa dialogu vazhdon, ka një dritë të hapur për Kosovën. Kështu u shpreh Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar pas një takimi të zhvilluar me homologen Vjosa Osmani në Prishtinë.

Ajo tha se është e lumtur që Sllovenia ka investuar në Kosovë dhe se uron që Kosova të hyjë në KE dhe në BE sa më shpejt: “Përderisa dialogu vazhdon, ka një dritë të hapur. Jam e sigurt se Prishtina dhe Beogradi do gjejnë një rrugë të përbashkët për hir të qytetarve të tyre. Anëtarësimi në KiE është në shërbim të popullit, në fund të fundit për shqiptarët të Kosovës. U trondita që sot Vjosa më tha se Kosova nuk ka qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo është e padrejtë, ne do iu mbështesim. Uroj që Kosova të hyjë në KE, hapi tjetër është në BE”.   

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi mbështetje për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare nga Sllovenia. Pas takimit me homologen sllovene, Osmani tha se ky shtet e ka ndihmuar Kosovën që nga shpallja e Pavarësisë: “Rruga e Kosovës është e qartë, ne synojmë anëtarësimin në BE, NATO dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare ku ndajmë vlera të përbashkëta. Qytetarët e Kosovës janë po aq evropian dhe kontribuojnë drejt kësaj rruge”.

Presidentja Osmani e falenderoi homologen sllovene për prezencën në këtë forum dhe mbështetjen ndaj Kosovës në këtë fazë të rëndësishme.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos