Pas më shumë se dy dekadash nga lufta në Kosovë, sot janë rivarrosur në Grabanicë e Jashanicë të Klinës mbetjet mortore të tetë viktimave të luftës që ishin në listën e personave të zhdukur.
Ata u identifikuan së fundmi pas gjetjeve në varrezën masive në Bishtazhin të Gjakovës, shkruan A2. Para kësaj ceremonie, u mbajt një akademi përkujtimore në Klinë, duke kujtuar sakrificën e martirëve dhe dhimbjen e familjeve për të pagjeturit.
“Qeveria e Kosovës nuk do të ndalet kurrë së kërkuari përgjegjësi nga Serbia për krimet më mizore që janë kryer në luftën e fundit në Kosovë. Në këtë ditë të mbushur me dhimbje për vendin tonë në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës shprehim ngushëllimet dhe nderimet më të larta për sakrificën e të rënëve të kombit. Emrat e tyre do të mbahen në mendjen dhe zemrat e secilit nga ne si dhe do t’i mësojmë gjeneratave me radhë në Republikën tonë dhe kudo që ka shqiptarë”, tha Bogujevci.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti tha se 4 prilli nuk është vetëm një datë kalendarike, por një plagë e pashëruar edhe dy dekada pas luftës dhe se nuk do të ndalen asnjëherë deri në zbardhjen e fatit edhe të personit të fundit të zhdukur në Kosovë: “4 Prilli në Klinë nuk është thjesht një datë kalendarike, por është një plagë që nuk është shëruar asnjëherë. Është dita kur kujtesa e kësaj komune na fton që mos të harrojmë kurrë. Klina e qëndresës ka përjetuar njërën ndër plagët më të rënda të luftës në Kosovë. Regjimi kriminal serb nuk kurseu këtë vend. Përkundrazi, këtu krimi mori formën më të egër”.
Kryetari i Shoqatës për Personat e Pagjetur në Klinë, Zeqir Morina, u shpreh se rivarrimi i eshtrave të martirëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë është dëshmi se liria nuk dhurohet, por arrihet me shumë sakrifica.
(A2 Televizion)