
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një mbledhje mbrëmjen e së mërkurës me kryetarët e degëve të Tiranës, deklaroi se “situata po shkon drejt një situate kritike”.
“Kriza e narkoshtetit po thellohet jo çdo javë, por çdo ditë. Revolta studentore, në një afat kohor gjithsej më pak se dyditor, faktikisht është regjistruar si revolta më e fuqishme studentore. Është regjistruar si dhuna më e egër shtetërore e përdorur ndaj protestuesve paqësorë, por nga ana tjetër, edhe vendosmëria ekstreme. Nuk kanë parë rrugët dhe sheshet e Tiranës luanë si ata studentë. Edi Rama, duke urdhëruar narko-banditët e tij për të çarë kafka dhe thyer kocka gjymtyrësh të të rinjve dhe qytetarëve që protestonin në mënyrën më paqësore, detyroi ata të përdorin çdo mjet rrethanor kundër kriminelëve me uniformë, dhunuesve të tyre”, tha Berisha, shkruan A2.
“Janë mbi 50 studentë dhe qytetarë të plagosur nga plagë të ndryshme me thyerje të femurit, me thyerje të këmbës, me çarje të kafkës në pjesën frontale që është pjesa më e fortë e saj. Janë me dhjetëra të tjerë me plagosje të tjera në trup, pa llogaritur këtu dhjetëra e dhjetëra të cilëve iu hodhën spraj ariu në sy apo u gjuajtën me brutalitet me topa uji. Duhet thënë se studentët janë përgjigjur me një heroizëm të vërtetë. Reagimi i tyre lidhet me revoltën e tyre shpirtërore kundër narko-diktaturës”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)