Kosova nuk ka identifikuar asnjë rast me virusin HMPV, që ka shpërthyer në Kinë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u përpoq me këto fjalë të siguronte qytetarët, duke thënë se nuk ka vend për panik.
Sipas tij, ata janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha mekanizmat, përfshirë OBSH dhe çdo institucion tjetër, përcjell A2.
Kurse doktoresha Arjana Kalaveshi ka dhënë detaje se si bëhet gjurmimi i këtij virusi nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë udhëzime lidhur me Metapneumovirusin pas një rritje të rasteve në disa rajone. Sipas IKSHPK-së, HMPV ka më shumë gjasa të përhapet nga personi i infektuar tek të tjerët përmes kollitjes dhe teshtitjes apo kontaktit të ngushtë personal, si puthja, prekja ose shtrëngimi i duarve.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bënë gjithashtu të ditur se nga shkurti do të nisë imunizimi i djemve me vaksinën kundër papilloma virusit (HPV), pasi një vaksinë e tillë nisi të administrohej për vajzat vitin e kaluar. Siç u tha, që nga nisja e procesit të imunizimit, 10 000 vajza janë vaksinuar kundër këtij virusi. (A2 Televizion)