
“Pamjet e dhunës, shkatërrimit të pronës dhe sulmeve ndaj institucioneve apo selive diplomatike janë dëshpëruese dhe të papranueshme. Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë e sotme dhe as atdheun që synojmë të ndërtojmë për nesër”. Është ky reagimi i ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha në lidhje protestën e sotme e cila vijon prej mëngjesit e tensione përplasje, dhunë e shkatërrime të institucioneve. Në një postim në rrjetet sociale, kryediplomati thekson se këto pamje dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe ngre dyshime për përparimin në BE.
Sipas tij, vendi ka bërë hapa të rëndësishëm drejt Bashkimit Evropian, duke fituar besim dhe respekt ndërkombëtar, ndërsa dhuna cenon perceptimin e Shqipërisë si një vend i sigurt për turistët dhe investitorët, si dhe hedh hije mbi përparimin drejt anëtarësimit në BE.
“Shqipëria ka bërë hapa madhorë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke fituar më shumë besim dhe respekt ndërkombëtar dhe duke ndërtuar imazhin e një vendi të qëndrueshëm, të sigurt, mikpritës dhe gjithnjë e më tërheqës.
Pikërisht për këtë arsye, pamjet e dhunës, shkatërrimit të pronës dhe sulmeve ndaj institucioneve apo selive diplomatike janë dëshpëruese dhe të papranueshme. Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë e sotme dhe as atdheun që synojmë të ndërtojmë për nesër.
Imazhi ynë ndërkombëtar është ndërtuar me shumë mund, ndër vite e dekada, por mund të cenohet lehtësisht. Çdo pamje dhune ndaj institucioneve, pronës publike apo asaj private dobëson mesazhin e stabilitetit, dëmton perceptimin e Shqipërisë si një vend i sigurt për turistët dhe investitorët dhe hedh hije e dyshime mbi aftësinë tonë të përbashkët për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Shprehja e pakënaqësisë dhe protesta paqësore janë pjesë e demokracisë; dhuna jo.
Askush nuk duhet të dëmtojë një pasuri që na përket të gjithëve: emrin dhe reputacionin e Shqipërisë”.
(A2 Televizion)