Faturimi i energjisë elektrike në veri është duke vijuar normalisht, edhe pse ende nuk janë ndërruar orëmatësit tek të gjithë qytetarët në veri.
Megjithatë, së fundmi, deputetët opozitarë thanë se për herë të parë po shpërndahen faturat në alfabetin cirilik serb në komunat veriore, shkruan A2.
Për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë nuk ka asnjë shkelje në lidhje me përdorimin e gjuhës, pasi ato përdoren sipas ligjit, si gjuha shqipe, po ashtu edhe serbishtja.
Shqetësime kanë pranuar edhe institucionet lokale të Mitrovicës së Veriut, por që, sipas tyre, nuk ka ndonjë problem me përdorimin e alfabetit cirilik si gjuhë e parë në fatura.
Skënder Sadiku, nga kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut, deklaroi: “Sa i përket gjuhës, duhet ta dimë specifiken ku jetojme ne. Po flas për katër komunat veriore ose komunat me shumicë serbe, e kanë shkrimin cirilik në dokumentat tona zyrtare. Nuk shoh ndonjë telash, por faturat të cilat unë i paguaj në komunën veriore të Mitrovicës më vijnë në dy gjuhë dhe paguhem për aq sa shpenzoj”.
Pagesa e energjisë së shfrytëzuar, sikurse patentë-shoferët dhe targat shihen si çështje bazike për të cilat nuk duhet të ketë diskutim.
“Patjetër, në momentin që ngadalë kanë filluar fazat, po flas prej terrenit, kanë filluar që të bëhen pagesat, ndërkohë është edhe zëvendësim i njehsorëve. Bëj apel që të mos bëhet kjo temë fare, shpenzimi i energjisë, targat, patentë-shoferët janë çështje elementare”, theksoi Sadiku.
Në bazë të një vëzhgimi të A2 CNN në Mitrovicën e Veriut, zëvendësimi i njehsorëve të energjisë elektrike është bërë më shpejt në mesin e shtëpive të shqiptarëve, ndërsa në disa objekte ku jetojnë serbët nuk janë vendosur.
Kosova më parë është ankuar në Bruksel se në faturat e lëshuara nga “Elektrosever” emrat e qyteteve shkruhen sipas emërtimit ilegal serb, por tashmë në faturat e reja kjo nuk vihet re. (A2 Televizion)