“Po trajtohemi si skllevër”, sindikatat e punëtorëve protestojnë për 1 majin në Kosovë

Nga Rosalba Bejdo
1 Maj 2025, 20:23 | Sociale

Me moton "Qeveri - Kompani, është bërë vonë, kthjelluni ose lamtumirë", Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës protestoi sot në Prishtinë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Kreu i Sindikatës, Jusuf Azemi, tha se punëtorët e sektorit privat të Kosovës janë “trajtuar si skllevër” nga ana e institucioneve, duke shtuar se “trajtim të tillë s’ka thuajse askund në Evropë”.

Pjesëtarët e Sindikatës kanë kërkuar rritjen e pagës në sektorin privat në 600 euro, marrëveshje kolektive, sigurime shëndetësore dhe themelimin e një gjykate të punës.

Ne nuk po mund të mbijetojmë me pagat që i kemi. Në Kosovë, punëtorët e sektorit privat edhe sot marrin pagë prej 230 eurosh. Kjo pagë nuk po na lë të vdesim, por edhe nuk po mund të jetojmë", tha Hafije Statovci.

Paga mesatare bruto në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Administratës Tatimore të Kosovës, është 702 euro. Sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh, me mbi 300 mijë të punësuar.

Në sheshet kryesore të Prishtinës t protestuan edhe Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe grupi protestues kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike “Asnji cent ma shumë”.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se mbi 613 mijë, ose 57 për qind e qytetarëve të moshës së punës, nuk janë ekonomikisht aktivë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos