Temperaturat e larta, ekspertët mirëpresin vendimin, Inspektoriati shqipton gjobat

Nga Ideal Gola
16 Korrik 2024, 20:20 | Sociale

Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë orari i punës për disa kategori punonjësish është kufizuar në Kosovë.

Gratë shtatzëna janë liruar nga puna, ose punojnë nga shtëpitë, ata me sëmundje kronike punojnë deri në katër orë në ditë ndërsa punëtorët e ndërtimit e kanë të ndaluar të punojnë në ambient të hapur nga ora 11:00 deri në ora 17:00.

Për ekspertët e sigurisë në punë një vendim i tillë është i qëlluar pasi temperaturat e larta hyjnë në mesin e faktorëve fizikë që rrezikojnë punëtorët.

“Në cilësi të ekspertit të sigurisë në punë pajtohem plotësisht mirëpo tani duhet që t’i zbatojmë këto dhe duhet një organizim më i gjerë nga vetë punëdhënësit, nga vetë punëtorët, ta rrisim vetëdijen që të ruhen nga këto temperatura, me një fjalë shumë të qëlluara që janë marr këto masa”, tha Naim Bajraktari, Ekspert i Sigurisë në punë.

Zbatimi i vendimi po monitorohet nga Inspektorati i Punës i cili ka njoftuar për 28 gjoba kryesisht ndaj kompanive të ndërtimit.

Mirëpo Ministria e Shëndetësisë i tha A2 CNN se janë të kënaqur me respektimin e vendimit dhe kompanitë janë të informuara.

“Me plot bindje e them se punëtorët, ose operatorët janë duke i respektuar rregullat e parapara prej orës 11:00 deri në ora 17:00 sa i përket ambienteve të hapura ndërsa në ambiente të mbyllura vazhdojnë punën si zakonisht”, tha Albana Bejqolli Gashi, Koordinatore për siguri në “International Residence”.

Në lidhje me vendimin ka pasur reagime për ndikimet negative që mund të ketë ai por për ekspertët shendetëi i punëtorit duhet të jetë prioritet.

“Humbjet janë aq minimale në krahasim me shëndetin e punëtorëve. Nëse vetëm një punëtor do të ketë pasoja nga temperaturat e larta fatale atëherë ku është çmimi i humbjes nga mospuna në këtë orar të caktuar”, shtoi Naim Bajraktari, ekspert i sigurisë në punë, HSK.

Në Prishtinë janë të kënaqur që vetëdija për sigurinë në punë është në rritje si tek kompanitë ashtu edhe tek punëtorët.

“Punëtorët janë të vetëdijshëm se siguria në punë është puna e parë që duhet të zbatohet, gjithashtu edhe punëdhënësi, dhe mundohen t’ju plotësojnë kushtet punëtorëve. Siguria në punë është në kontinueit gjithmonë duhet të merren masa në mbrojtjen e punëtorëve”, deklaroi Bajraktari.

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë vlen deri më 20 korrik, por është lënë mundësia që të ketë masa shtesë nëse vlerësohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos