Emisari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë një vizitë dyditore në Kosovë.
Zyrtari i Brukselit pritet që të zhvillojë një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Gjithashtu, pritet që të ketë takime edhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovës. Mediat në Prishtinë, raportojnë se qëllimi i kësaj vizite nga Lajçak është që të bisedojë me liderët dhe faktorët politikë për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.
Emisari kthehet në Kosovë pasi dorëzoi në zyrën e Kurtit planin BE-SHBA për asociacionin dhe pasi kryeministri zhvilloi takime të rëndësishme në Bruksel me krerët e Unionit.
Shefi i qeverisë së Kosovës shprehu gatishmërinë e tij për ta firmosur draft-statutin modern europian për asociacionin dhe akuzoi Serbinë se po refuzon ta pranojë atë. Përmbajtja e propozimit nuk është bërë ende e ditur. (A2 Televizion)