Presidentja Vjosa Osmani ka nisur një tur takimesh në qytetet kryesore të vendit, vetëm pak kohë para se të përfundojë mandatin në krye të shtetit.
Presidenca nuk ka dhënë njoftime për takimet e Osmanit, por stafi politik ka publikuar video ku Osmani shihet kryesisht duke përshëndetur qytetarët.
Të martën, gjatë qëndrimit në Mitrovicë, Osmani tha shkurt se janë takime falënderimi.
“I falënderoj qytetarët për përkrahjen, dashurinë që na kanë dhënë, që kanë qenë pranë nesh çdo ditë përgjatë këtyre 5 viteve dhe për nderin e madh që ma kanë dhënë që t’i përfaqësoj brenda e jashtë përgjatë këtyre viteve. Janë thjesht takime falënderimi, siç i patë edhe shumë prej këtu.”
Gjatë javës së kaluar, Osmani ka qëndruar edhe në Ferizaj, Gjakovë, Podujevë, Suharekë, Lipjan dhe fshatra të tjera.
Në disa prej këtyre takimeve, presidentja është shoqëruar nga ish-deputetë të Listës Guxo ose të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Analistët politikë thonë se këto takime të Osmanit janë fushatë dhe përgatitje për t’iu kthyer aktivitetit partiak.
“Tanimë është e qartë që ajo është duke u përgatitur për aktivitet politik partiak, do të jetë pjesë e ndonjë partie politike.”
Në rast të zgjedhjeve të mundshme, Osmani pritet të pozicionohet kundër kryeministrit Albin Kurti.
“Mendoj se do të jetë e qartë që do të jetë në kampin anti-Kurti. Do të thotë, ai binomi Kurti-Osmani që u zhvillua në vitin 2021 ka qenë binom i rastësishëm.”
Edhe një bashkëpunim i mundshëm mes Osmanit dhe Kurtit shihet i vështirë, sidomos pas përplasjes për moskandidimin e saj për një tjetër mandat në krye të shtetit.
“Mbetet të shihet se si do të ristrukturohet skena politike në Kosovë. Një gjë është e qartë, që z. Kurti ka djegur shumë kapital politik gjatë 7 viteve të fundit.”
Kurti dhe Osmani garuan në një listë të përbashkët në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021, duke marrë mbi 50% të votave, mirëpo dallimet e tyre u bënë të dukshme në mesin e mandatit qeverisës, që kishin të bënin me raportet me ndërkombëtarët. (A2 Televizion)