Vjosa Osmani shpërndan Kuvendin dhe shpall zgjedhjet e reja: Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm!

Nga A2 CNN
6 Mars 2026, 08:49 | Kosova

Vjosa Osmani shpërndan Kuvendin dhe shpall zgjedhjet e reja: Këtu e

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë sot dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe ka shpallur zgjedhjet e reja, raporton A2CNN.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Osmani theksoi se në këtë situatë e sollën vendin "njerëz të papërgjegjshëm" dhe me "qëllime të rrezikshme". 

"Në përputhje me nenin 82 dhe 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kam vendosur ta shpërndaj Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të shpallë zgjedhjet e reja, pas konsultimeve të cilat do t’i mbaj me partitë politike. Qytetarët s’kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën e tyre kushtetuese. Askush s’do duhet të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet, por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme", tha Osmani. 

Kryetarja e shtetit vuri në dukje se Kushtetuta e thotë qartë se afati për President ka përfunduar mesnatën e së enjtes.

Procedura për zgjedhjen e presidentit edhe pse mund të fillojë deri 60 ditë para afati të fundit, nuk mund të shtyhet më tej, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe Presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti”, ka shtuar ajo.

Kujtojmë që për zgjedhjen e Presidentit në dy raundet e para duhet të siguroheshin 80 vota dhe në raundin e tretë të paktën 61. Dje në sallën e Kuvendit kanë qenë 66 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa kanë munguar ata të opozitës. Mungesa e kuorumit ka bërë që të dështojë edhe seanca e thirrur për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese, të përcjella nga presidentja Vjosa Osmani për votimin e Presidentit nga populli. 

Osmani doli me propozimin që Presidenti të votohej nga populli, pasi kryeministri Albin Kurti nuk mbështeti rikonfirmimin e saj për një mandat të ri në krye të shtetit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos