
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka “diçka të re” lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Ai theksoi se si shumicë parlamentare janë ende “14 deputetë larg” për të siguruar votat e nevojshme, gjë që e bën situatën më të vështirë, por nuk e pamundëson zgjedhjen e presidentit.
“Si Lëvizje Vetëvendosje kemi mundësi të propozojmë një kandidat sepse kemi 30 nënshkrime. Bashkë me pakicat në mazhorancë, mund të nxjerrim dy kandidatë, pasi me 66 deputetë mund të sigurosh 60 nënshkrime. Ndërkohë, opozita, nëse nuk përfshijmë Listën Serbe, ka 43 deputetë dhe gjithashtu mund të propozojë kandidatin e vet”, tha Kurti.
“Nuk dihet nëse kjo do të realizohet, por kushtet janë ideale që të kemi edhe tre kandidatë, ndërkohë që aktualisht nuk kemi asnjë,” shtoi ai.
Ndërkohë Kurti, ka hezituar të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me arsyen pse nuk po propozohet sërish Vjosa Osmani për një mandat të dytë si presidente e vendit.
Ai deklaroi se nevojiten të paktën 80 deputetë që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, por shtoi se as ky numër nuk ofron siguri të plotë.
“Ne duhet t’i kemi 80 deputetë që qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Nuk mund të shkojmë me saktësisht 80 në votim, sepse nëse në fund dalin 79, automatikisht vendi shkon në zgjedhje. Prioritet absolut në situatën aktuale politike është evitimi i zgjedhjeve. Duhet të sigurohemi jo vetëm për 80 vota, por për 84 ose 85, në mënyrë që të jemi të sigurt”, tha Kurti. (A2 Televizion)