Vuçeviç flet për kompromise, takimi Kurti-Vuçiç, paralajmërimet për dështimin e radhës

Nga Ideal Gola
25 Qershor 2024, 20:06 | Kosova

Një tjetër takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet pasditen e së mërkurës. Në Beograd dhe Prishtinë nuk ka asnjë pritje për këtë takim me skenarin e njohur ku palët do të akuzojnë njëra-tjetrën. 

Njohësit thonë se me këtë takim, Bashkimi Evropian kërkon të tregojë se ka nën kontroll palët dhe procesi është duke vijuar.

"Në njërën anë Serbia do ta akuzojë Kosovën që nuk po e themelon Asociacionin e komunave kurse Ksoova do ta akuzojë Serbinë se nuk po e respekton asnjërën prej marrëveshjeve ndërkombëtare kurse BE-ja natyrisht do të thotë se jemi këtu, gjendja është nën kontroll dhe kontinuiteti dhe statuquo-ja e dialogut vazhdon derisa të kemi zgjedhjen e një liderishipi të ri në BE,” shprehet analisti Arbënor Sadiku.

Serbia, e cila nuk ka respektuar asnjë nga marrëveshjet me Kosovën, përmes kryeministrit të saj Millosh Vuçeviç një ditë para takimit tregoi gatishmëri për kompromise ku palët “humbasin në mënyrë të barabartë”.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje dhe kompromise, që nënkuptojnë se asnjëra palë të jetë fituese absolute apo humbëse absolute, por që Serbia dhe shqiptarët duhet të jetë të kënaqur më mënyrë të barabartë, apo thënë më mirë të pakënaqur në mënyrë të barabartë.”

Për shkak të qëndrimeve të ndryshme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, një zgjidhje për dialogun do vinte vetëm edhe me SHBA dhe Britaninë në tryezë.

“Procesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të ketë sukses pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht Britanisë së Madhe, pa ndikimin e tyre nuk mendoj se Bashkimi Evropian ka fuqinë si është sot por edhe me lidership të ri.”

Kosova dhe Serbia janë në tryezën e dialogut që prej vitit 2011 ndërsa në Prishtinë përfundimin e presin me njohjen nga Serbia të shtetit të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos