Zgjedhja e Presidentit, Kushtetuesja jep edhe 34 ditë afat shtesë

Nga Ideal Gola
25 Mars 2026, 23:10 | Kosova

Deputetët e Parlamentit të Kosovës do të kenë kohë edhe 34 ditë për të zgjedhur Presidentin e ri të Republikës. Gjykata Kushtetuese vendosi se dekreti i presidentes Vjosa Osmani nuk prodhon asnjë efekt juridik dhe se Kuvendi nuk e ka konsumuar afatin prej 60 ditësh për të zgjedhur kreun e shtetit.

Kushtetuesja vendimin për t’i dhënë kohë shtesë deputetëve e arsyetoi me faktin se Parlamenti ishte konstituar shumë vonë.

 “Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja sqaroi edhe nenet që u kontestuan, që lidhen me afatet.

Sipas saj, procedura për zgjedhjen e presidentit nuk duhet të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

 “Këto dy afate janë të ndërlidhura, në atë mënyrë që procedura duhet të zhvillohet brenda kufirit prej 60 ditësh dhe të përfundojë me zgjedhjen e presidentit jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”, thotë Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja sqaroi edhe pasojat nëse Parlamenti sërish dështon të ketë një votim të suksesshëm pas kohës shtesë që dha.

Në rast se Parlamenti i Kosovës nuk do të arrijë të zgjedh presidentin deri më 28 prill atëherë ai do të shpërndahet automatikisht, ashtu siç thuhet në kushtetutë dhe të konfirmuar edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Afatet e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të jenë e diela e 31 majit dhe ajo e 7 qershorit 2026. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos