Zgjedhjet në Bosnjë dhe Hercegovinë, për herë të parë në tri dekada, emri i Dodik nuk është në fletën e votimit

Nga Nertila Dosti
4 Tetor 2026, 13:44 | Rajoni & Bota

Bosnjë-Hercegovina voton këtë të diel në zgjedhje që shkojnë përtej një gare të zakonshme politike. Në lojë është jo vetëm përbërja e institucioneve të reja, por edhe drejtimi që vendi do të marrë mes integrimit europian, tensioneve të brendshme dhe ndikimit të Rusisë në Republikën Srpska.

Mbi 3.4 milionë qytetarë kanë të drejtë vote. Ata zgjedhin tre anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, deputetët e Parlamentit qendror, si edhe përfaqësuesit e institucioneve të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe Republikës Srpska. Qendrat e votimit janë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00. Por vëmendja politike është përqendruar veçanërisht te Republika Srpska dhe Milorad Dodik.

Edhe pse për herë të parë në afro tri dekada emri i tij nuk është në fletën e votimit, Dodik mbetet figura kryesore e SNSD-së dhe një nga aktorët më me ndikim në këtë garë. Në mitingun e fundit elektoral në Banja Luka, Dodik përdori një nga deklaratat më të forta të fushatës, duke thënë se Bosnjë-Hercegovina “është e vdekur” dhe se është “një vend i pamundur që nuk ka kuptim”.

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve, ai ishte në Moskë për një takim me Vladimir Putinin. Kështu, vota e 4 tetorit nuk përcakton vetëm fituesit e zgjedhjeve. Ajo do të tregojë nëse Bosnjë-Hercegovina do të arrijë të zhbllokojë rrugën drejt Bashkimit Europian, apo do të mbetet e mbërthyer në ndarjet e vjetra politike dhe etnike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos