Aktivisti serb Marko Marjanoviç po kthehej nga supermarketi në Beograd, kur disa persona të maskuar e futën me forcë në një makinë dhe e dërguan në bodrumin e një komisariati policie. Atje, ai u mbajt i izoluar për dy ditë, në një ambient të ndriçuar vazhdimisht me drita të forta. Marjanoviçi, një komentues i njohur në rrjetet sociale dhe kundërshtar i zëshëm i udhëheqësit të Serbisë prej shumë vitesh, Aleksandar Vuçiç, thotë se ishte i tmerruar. Dhe kjo nuk ishte hera e parë që i ndodhte diçka e tillë.
Marko Marjanoviç, influencer në X, shprehet: “Unë jam Marko Marjanoviç, nga Çaçaku, por aktualisht jetoj dhe punoj në Beograd. Në X, dikur Twitter, përdor emrin ‘Crystal Meth Damon’, ku ndaj mendimet e mia me ndjekësit, si me ata që janë dakord me mua, ashtu edhe me ata që nuk janë. Jam ndaluar, nuk e di, tre apo katër herë, dhe dy herë jam lënë në paraburgim. Madje, gjykata më ka ndaluar të përdor rrjetet sociale dhe të frekuentoj hapësirat publike për gati një vit. Aktualisht, ndaj meje rëndojnë dy akuza penale. Akuza për kundërvajtje është rrëzuar, por kam një sërë padish të tjera në proces.”
Disa ditë më parë, në gusht të vitit 2025, policia e kishte rrahur gjatë protestave kundër qeverisë. Sipas tij dhe avokatit të tij, këto episode janë pjesë e një fushate për ta heshtur.
Marko Marjanoviç, influencer në X tha: “Katër burra me kapuçë që u mbulonin fytyrën, me bluza të ngushta që nxirrnin në pah muskujt dhe me tatuazhe në të gjithë trupin. Nuk ishin policë. Fakti që dikush mban një distinktiv nuk do të thotë se është polic.
Më futën me forcë në një fuoristradë të zezë dhe më shëtitën nëpër qytet. Nuk pranonin të më tregonin se ku po më çonin dhe nuk i tregonin as bashkëshortes sime se ku do të më dërgonin. Teksa më fusnin në pjesën e pasme të makinës, fqinjët bërtisnin nga dritaret: ‘Qëndro i fortë!’
Kur hipa brenda, ata rrinin ulur, ende me fytyrat e mbuluara, ndërsa makina vazhdonte të lëvizte nëpër qytet, drejt një destinacioni që nuk ma tregonin.”
Ndërsa ish-presidenti Vuçiç kërkon të zgjasë 12 vitet e tij në pushtet, duke kandiduar për kryeministër në zgjedhjet e 25 tetorit, intervistat me aktivistë, studentë protestues dhe politikanë të opozitës paraqesin një tablo gjithnjë e më autoritare të vendit ballkanik. Kritikët, sipas tyre, përballen rregullisht me kërcënime, liria e medias po tkurret dhe korrupsioni po rritet.
Vuçiçi dhe Partia e tij Progresive Serbe (SNS) i kanë mohuar vazhdimisht akuzat për represion dhe korrupsion. Zyra e tij dhe Ministria e Brendshme nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga Reuters. Vuçiçi po përballet me sfidën më të madhe politike që prej ardhjes në pushtet: lëvizjen protestuese të udhëhequr nga studentët. Ajo mori hov pas shembjes së tendës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit në vitin 2024, një tragjedi që u mori jetën 16 personave.
Tashmë, lëvizja po garon në zgjedhjet e së dielës me 250 kandidatë të saj. Një sondazh i publikuar këtë javë i rendiste studentët dhe SNS-në thuajse në të njëjtat nivele mbështetjeje.
Studentja Jelena Kontiç, shprehet: Ja fletëpalosja jonë. Për momentin kemi veçuar disa pika kyçe të programit tonë, për të nisur bisedën dhe për t'i ndihmuar njerëzit të kuptojnë se çfarë përfaqësojmë.”
E kuptova se në të vërtetë ata kanë frikë. Kanë frikë nga rrjeti që kemi krijuar. E kam thënë edhe më parë dhe po e përsëris: të gjithë këta njerëz janë vullnetarë.
Ndoshta është krejtësisht e pakuptueshme për ta se si kemi arritur të kemi kaq shumë njerëz në të gjithë Serbinë dhe si kemi mundur të shtrijmë fushatën ‘Një student në çdo fshat’ në çdo qytet, fshat dhe vendbanim, madje edhe në fshatin më të vogël, me vetëm dy shtëpi. E gjithë kjo është bërë falë rrjetit të njerëzve që kemi krijuar.”
Në fund të viteve 1990, Vuçiçi shërbeu si ministër i Informacionit, në kohën kur presidenti i atëhershëm, Sllobodan Millosheviç, përpiqej të heshtte kritikët e politikave të Serbisë gjatë luftës në Kosovë dhe përplasjeve të mëvonshme me NATO-n.
Në vitin 2008, Vuçiçi u shkëput nga Partia Radikale Serbe, me prirje ultranacionaliste, ndërsa sot deklaron se synon anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, vlerësimi ndërkombëtar për Serbinë është përkeqësuar.
Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit për vitin 2026, i hartuar nga organizata Reporterët pa Kufij (RSF), e renditi Serbinë në vendin e 104-t nga 180 shtete. Ky është rezultati më i dobët i vendit ndonjëherë dhe më i keqi në rajonin e Ballkanit dhe në hapësirën e BE-së.
Edhe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, të publikuar nga Transparency International, Serbia shënoi rezultatin më të dobët në dy dekada.
Sipas RSF-së, gjashtë gazetarë serbë, mes tyre katër që janë larguar nga vendi këtë vit, ndodhen në mërgim për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë së tyre, të motivuara nga sulmet politike.
Të dhënat e Fondacionit Slavko Ćuruvija, një organizatë joqeveritare që monitoron median, tregojnë se Vuçiçi ka sulmuar verbalisht gazetarë dhe media të paktën 182 herë gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti.
Vuçiçi i ka mohuar akuzat për intimidimin e medias dhe thotë se nuk ka mbyllur asnjë organizatë mediatike. Anëtarë të lëvizjes studentore dhe kundërshtarë të tjerë të njohur të Vuçiçit kanë qenë gjithashtu objekt i sulmeve kibernetike, sipas organizatave monitoruese.
Në shtator, organizata për të drejtat digjitale SHARE Foundation deklaroi se 14 persona ishin shënjestruar me programe të avancuara përgjimi. Jelena Kontiç, e cila është pjesë e lëvizjes mbarëkombëtare të protestave për largimin e Vuçiçit, tha se në mars mori një njoftim nga Apple, ku paralajmërohej se në telefonin e saj mund të ishte instaluar programi përgjues Pegasus.
Më vonë, sipas saj, kontrollet forenzike, përfshirë ato të kryera nga organizata kanadeze për monitorimin e sigurisë kibernetike Citizen Lab, e konfirmuan këtë.
“Unë jam Jelena Kontiç, studente në Fakultetin e Filologjisë në Beograd. Jam rasti i parë i dokumentuar në botë, në vitin 2026, që ka pasur të instaluar në telefonin e saj një program përgjues”, shprehet Kontiç.
Ata në fakt kanë akses në gjithë jetën tënde, duke marrë parasysh që ne jemi një brez që e kemi të gjithë jetën në telefonat tanë. Ata mund të shohin absolutisht gjithçka në telefonin tim: kur stërvitem, kur fle, kur ha, kur pi ujë, madje edhe sasinë e ujit që pi. Kemi të gjitha këto aplikacione të ndryshme që gjurmojnë gjëra të ndryshme dhe që i përdorim gjatë gjithë ditës, ndaj kjo pjesë është vërtet shumë e frikshme. Kjo është ajo që do të doja të theksoja më shumë, dhe mendoj se është diçka me të cilën njerëzit do të identifikoheshin plotësisht.”
Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Informacionit i cilësoi pretendimet për përfshirjen e shtetit si “sensacionalizëm banal”. Ana Brnabiç, e cila në atë kohë ushtronte detyrën e presidentes së Serbisë, deklaroi se studentët “absolutisht nuk ishin” përgjuar.
Edhe zyrtarët e Ministrisë së Brendshme i kanë hedhur poshtë akuzat për spiunazh kibernetik. Megjithatë, Kontiç nuk është rasti i vetëm. Sipas njërit prej tyre dhe një raporti të publikuar të hënën nga Citizen Lab, dy figura të opozitës serbe janë shënjestruar së fundmi me mjete të fuqishme të spiunazhit kibernetik.
Kompania izraelite NSO Group, prodhuesja e Pegasus, ka deklaruar se ua shet këtë teknologji vetëm qeverive. Kërcënimi ndaj sigurisë bëhet veçanërisht i dukshëm në rrugë, ku protestuesit thonë se policia ka përdorur shpesh forcë gjatë demonstratave paqësore.
Dušan Radoviç, një arkitekt 26-vjeçar, po ndihmonte një person që kishte rënë në tokë, ndërsa policia po ndërhynte kundër një turme protestuesish në qytetin e Valjevës, në gusht të vitit të kaluar. Në atë moment, efektivët e pajisur për ndërhyrje kundër trazirave nisën ta godisnin me shkopinj gome.
Quhem Dušan Radović, jam 26 vjeç. Jam arkitekt dhe jam një nga viktimat e dhunës policore që ndodhi më 14 gusht në Valjevë.
Ishin goditje të njëpasnjëshme me shkopinj gome, nga koka te këmbët. Më godisnin me shqelma nga koka te këmbët dhe madje më shkelën edhe mbi kokë. Në një moment, më ngritën lart, vetëm që të më hidhnin përsëri përtokë dhe të vazhdonin të më rrihnin e të më godisnin me shqelma. Në një moment tjetër, madje filluan edhe të pështynin mbi mua.”
Një video e verifikuar nga Reuters dokumenton dhunën. Radoviçit iu deshën dy muaj që të mund të ecte sërish pa çaluar.
Ai ishte mes 25 personave, disa prej tyre të mitur, që u dhunuan rëndë atë natë, sipas një raporti të pavarur të hartuar nga specialisti i mjekësisë ligjore, doktor Đorđe Alempijeviç.
“Dëmtimet nuk janë rezultat i incidenteve të izoluara apo i vetëmbrojtjes së nevojshme të policisë, por dëshmojnë një model të qartë, të organizuar dhe sistematik të brutalitetit policor ndëshkues dhe torturës”, thuhet në raport. (A2 Televizion)