Një stuhi e fuqishme e ktheu verën për pak orë në dimër në rajonin e Ballkanit. Maqedonia e Veriut raportohet të jetë vendi më i prekur, me mediat që raportojnë për 20 persona të lënduar, me një pjesë prej tyre me dëmtime në kokë dhe fraktura.
Stuhia, e shoqëruar nga erëra të forta, rrëzoi një numër të madh pemësh, struktura çatish nga ndërtesa dhe shtëpi, si dhe dëmtoi kabllo elektrike dhe makina. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut konfirmuan se mbi 8 mijë qytetarë kanë raportuar dëmtime apo kanë kërkuar ndihmë në numrin e emergjencës.
Moti i keq ka shkaktuar probleme të konsiderueshme edhe në Kosovë. Suhareka dhe Lipjani kanë raportuar situatë shqetësuese pasi janë shkaktuar dëme në sektorin e bujqësisë, infrastrukturën publike dhe rrjetin energjetik.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka lëshuar paralajmërim të nivelit portokalli për të gjithë territorin e Kosovës, duke njoftuar se gjatë së mërkurës priten stuhi të fuqishme të shoqëruara me vetëtima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.
Moti i keq gjunjëzoi dhe disa pjesë të Bosnje dhe Hercegovinës. Rrufeja vrau rreth 30 dele në Bosnje. Në Kroaci, një goditje rrufeje shkaktoi një zjarr në një pyll me pisha në zonën e Osejavas mbi Makarskë. Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, zjarri u shua shpejt dhe u parandalua përhapja e tij. (A2 Televizion)