Duhet bombarduar planeti Mars. Me raketa bërthamore, madje. Nuk është çmenduria e një personazhi filmash, por teoria e mirë menduar dhe e përsëritur e gjeniut të Teslës dhe SpaceX, miliarderit Elon Musk.
Sipas Musk, një akt i tillë, që do të frikësonte çdokush, është një akt i nevojshëm në qoftë se njerëzimi dëshiron të ketë një shans për të jetuar në “planetin e kuq”.

Sipas tij, disa goditje të përllogaritura me raketa bërthamore do të mund të shkrinin akujt që ndodhen në polet e planetit, duke lëshuar në këtë mënyre një sasi anhidridi karbonik që do të ndikonte në temperaturën dhe presionin e ajrit, duke e bërë të mundur kolonizimin nga njeriu.
Për të reklamuar mendimin e tij Musk ka filluar edhe një fushatë, ku mund të blihen edhe bluzët “Nuke Mars”.
Musk duket tërësisht i përqendruar në sfidat jashtë planetit Tokë. Me shoqërinë tij SpaceX ai po finalizon projektin e raketës Spacehopper, e cila mund të ulet në mënyrë horizontale, si dhe anijen kozmike Starship, e cila do të mundësoj vizita njëjavore rreth satelitit tonë, Hënën brenda vitit 2023.
Një sfidë e fituar në atë drejtim do të mundësonte ndërtimin e mijëra raketave, të financuara nga qeveritë botërore, që do të transportonin brenda 2035-ës rreth 1 milion persona drejt kolonizimit të planetit. “E di, do të vdes në Mars”, ka thënë dikur Musk. Shenjë që do të jetojë ende shumë gjatë. (A2 Televizion)