
Nëntë persona janë plagosur, duke përfshirë dy fëmijë pasi raketat goditën dy ndërtesa në qytetin lindor të Ukrainës, Dnipro. Mediat raportojnë se kati i fundit i një blloku të madh banimi u shkatërrua pothuajse plotësisht në sulmin e së premtes në mbrëmje.
Shënjestër e sulmit ishte dhe një ndërtesë që i përket shërbimeve të sigurisë të Ukrainës (SBU). Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky fajësoi "terrorin raketor rus".
Zelensky postoi një video në Telegram që tregon tymin që ngrihet nga ndërtesat e dëmtuara. Ai tha se kishte thirrur takime urgjente me SBU, ministrinë e brendshme, shërbimet e urgjencës dhe zyrtarët lokalë pas incidentit.
Kreu rajonal Serhiy Lysak tha se dy fëmijë, 14 dhe 17 vjeç, ishin në mesin e të plagosurve. Ai shtoi se ata po trajtoheshin në shtëpi.
Asnjë vdekje nuk është raportuar pas sulmit, i cili ndodhi në orën 20:30 me orën lokale sipas z. Lysak.
Kjo është hera e tretë që ndërtesa e SBU ishte shënjestruar nga Rusia, sipas kryebashkiakut të Dnipro, Borys Filatov.
Të dyja ndërtesat ishin kryesisht bosh, tha ai, duke shtuar se ndërtesa e banimit ishte përfunduar së fundmi dhe njësitë ishin duke u nxjerrë në shitje.
Kjo vjen pasi Rusia tha të premten se kishte kapur dy raketa ukrainase mbi rajonin e saj jugor të Rostovit, në kufi me Ukrainën.
Moska tha se 15 persona u lënduan nga mbeturinat që ranë në qytetin port jugor të Taganrog. (A2 Televizion)