
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç tha se ambasadorët e shteteve të QUINT-it, kanë kërkuar nga kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjatë një takimi të zhvilluar në 15 gusht, që “të pranojnë realitetin, pra që Kosova është e pavarur”.
Këtë tha gjatë një konference për media në Beograd ditën e martën, ku morën pjesë katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç.
Rakiç tha se në takimin me ambasadorët e QUINT-it kanë rënë dakord që të mos bëhen publike detajet e bisedimeve, por “për shkak të peshës dhe seriozitetit të mesazhit që morën, e kanë ndjerë si përgjegjësi politike të informojnë qytetarët.
“Në takimin, që zgjati më shumë se dy orë, mesazhi kryesor që dëgjuam nga ambasadorët ishte se shtetet e tyre e njohin pavarësinë e Kosovës. Na bën thirrje që ta pranojmë realitetin në terren dhe ai realitet është që Kosova është e pavarur. Ne gjithashtu dëgjuam se ata i mbështesin në mënyrë absolute vendimet e marra nga Prishtina. Veçanërisht nënvizuan se mbështesin vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentin për hyrje-dalje që do t’u lëshohet serbëve me të hyrë në Kosovë. Ne absolutisht nuk u pajtuam me ta”.
Rakiç shtoi se Kosova mund të përpiqet me forcë të zbatojë vendimet, por se ata nuk do t’i pranojnë.
Rakiç, që është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, tha se pret që presidenti serb Vuçiç, të gjejë një mënyrë për ta “tejkaluar këtë krizë” në dialogun në Bruksel.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, deklaroi se në takimin e Brukselit duhet të këmbëngulet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse, siç tha ai, “raportet mes Beogradit dhe Prishtinës” nuk mund të normalizohen pa krijimin e këtij asociacioni.
Sakaq, kryetarët e katër komunave në veri, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, u shprehën të shqetësuar për “patrullimin e shtuar” të Policisë së Kosovës në këtë pjesë dhe thanë se nuk pranojnë vendimet e kryeministrit Albin Kurti. (A2 Televizion)