
Gjatë bisedimit me qytetarët e Beratit, kryeministri Edi Rama foli me qytetarët dhe për çështjen e vaksinimit dhe vështirësive të hasura për furnizimin me dozat e nevojshme.
Kreu i qeverisë shprehu besimin se në ditët në vijim mund të arrihet një marrëveshje për sigurimin e mijëra dozave vaksine që do të intensifikojë vaksinimin gjatë stinës së pranverës.
“Çështja e vaksinës është kthyer në një çështje botërore. Të gjitha shtetet kanë nevojë për vaksina. 70% e prodhimit të vaksinave është në duart e 10 shteteve. Dhe ku Shqipëria, si një vend i vogël, si një vend në një rajon në mes të Europës, por që nuk u përfshi në skemën europiane të shpërndarjes së vaksinave, ka një sfidë të madhe.
Falë këmbënguljes ne ia kemi dalë të nisim vaksinimin, ndërkohë që shumë shtete nuk kanë bërë gjilpërën e parë. Brenda gjysmës së parë të muajit mars do mbyllim vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve. Jam besimplotë se së shpejti do kemi lajme të mira për sigurimin e sasive të nevojshme për të mos ulur ritmin, por për ta intensifikuar atë dhe për ta kthyer të gjithë këtë sezon pranveror në një sezon vaksinimi masiv”, tha kryeministri. (A2 Televizion)