Rama: E pakonceptueshme për aleatët tanë se si Kosova refuzon të hedh hapa para për shtensionimin e situatës në veri

Nga A2 CNN
27 Qershor 2023, 15:24 | Politikë
Rama: E pakonceptueshme për aleatët tanë se si Kosova refuzon

Në përfundim të takimeve në Bruksel, kryeministri Edi Rama ka artikuluar sërish akuza në drejtim të Kosovës, sipas së cilit qëndrimi i saj refuzues për të hedhur hapa drejt shtensionimit të situatës në veri, po favorizon Serbinë. Rama shprehet se ky qëndrim i mbajtur nga Albin Kurti është i pakonceptueshëm për aleatët strategjik, sidomos edhe pas lirimit të 3 policiëve.

“Eshtë e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjikë, që Kosova vazhdon refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës. Kësisoj Beogradi po ia del të fshihet pas mjegullës gjithnjë e më të dendur, që qasja e pashpjegueshme strategjike e Prishtinës po krijon mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike, sidomos pas lirimit pa kushte nga Serbia të tre policëve të mbajtur fare padrejtësisht, me ditë të tëra,  në kushtet e heqjes së lirisë”, tha Rama.

Ai ripërsëriti idenë e tij që palët duhet të zhvillojnë një konferencë të përbashkët të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, nga ku të mos largohen pa arritur një marrëveshje.

“Është koha për një konferencë të nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Në këtë prizëm, Rama thekson se gatishmërinë e Shqipërisë në promovimin e paqes në rajon.

“Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet vendosmërisht një forcë që promovon paqen, mbron stabilitetin në rajon, kontribuon për bashkëpunimin rajonal dhe punon pa u lodhur për rritjen e saj të gjithanshme, pa rënë asnjëherë në kurthin ballkanik të së shkuarës, po edhe pa heshtur në asnjë rast përballë shfaqjeve kërcënuese të vetëmjaftueshmërisë sovraniste, nga kushdoqoftë, kurdoqoftë e kudoqoftë, në lagjen tonë të vogël në mes të Europës”, tha Rama.

Në fund, përtej zhvillimeve në rajon, kryeministri tha se ka qenë një takim pozitiv edhe sa i përket rrugës së Shqiëprisë drejt Bashkimit Europian.

“Takimet me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian ishin një lajm shumë i mirë lidhur me progresin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe politikën tonë konstruktive rajonale”, përfundoi Rama.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos