Rama: Jemi në javën e zjarrit, të dalim me kokën lartë, jo duke numëruar viktimat

Nga A2 CNN
23 Mars 2020, 14:29 | Politikë
Rama: Jemi në javën e zjarrit, të dalim me kokën lartë,

Në të njëjtën kohë kur ministrja e Shëndetësisë publikoi shifrat e reja të personave të prekur me koronavirus në vend, të cilët janë tashmë 104, kryeministri Rama publikoi në Facebook një video-mesazh, me anë të të cilit u kërkon qytetarëve të mos neglizhojnë masat.

Për Ramën, kjo është një javë zjarri, pasi hyjmë në fazën më dramatike të luftës, ku “duhet të bëjmë çmos të gjithë bashkë, për të ulur sa të jetë e mundur humbjet e jetëve dhe vuajtjet e mëdha që sjell ky armik i egër”. “Mos luani me zjarrin ju lutem. Do humbasim njerëz, nuk e di se sa, askush nuk e di askund, por nuk duhet në asnjë mënyrë të humbasim një mal me njerëz, kurrën e kurrës, dhe këtë e kemi në dorë ne, duke bërë durim. Mos rrini grumbull, por në distancën të paktën 1 metër pas kurrizit të njëri-tjetrit. Kush e ka menduar se kjo luftë do të kalojë pa humbje jete e ka menduar gabim. Virusi do të prekë secilin prej nesh, çfarëdo të bëjmë ne. Gjithçka bëjmë ne ka shumë rëndësi, duke u disiplinuar maksimalisht e ngadalësojmë përhapjen e armikut. Duhet të dalim nga kjo luftë me kokën lart jo duke numëruar qindra e mijëra të vdekur, larg qoftë”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos