
Kryeministri Edi Rama prezantoi nismën kundër atij që e quan KÇK (Kap ça t’kapësh), që e quan “organizatë kriminale gjykatësish dhe prokurorësh që janë shërbëtorë, bashkëpunëtorë ose edhe tutorë të krimit të organizuar”.
Fillimisht, kryeministri shpjegoi perceptimin e gabuar që kanë njerëzit mbi drejtësinë: “Nuk të fut në burg qeveria apo policia, por drejtësia. Policia e shkretë ka marrë mbi vete baltë pa fund, ndërkohë që ka kryer më mirë sesa të gjithë të tjerët detyrën e vet. Policia e çon te dera e drejtësisë kriminelin dhe prokurori nuk hap çështjen penale, ose gjykata e liron në sallë. Tani janë krijuar kushtet për të vepruar, pasi deri dje oligarkia e sistemit të drejtësisë dominonte çdo gjë dhe nuk merrej njeri me ta, as media dhe as Parlamenti. Ishin milionerë që bënin ligjin, ndërsa sot po çmontojmë atë sistem dhe po ndërtojmë një tjetër. Vetting-u nuk është për të dënuar, por për të pastruar sistemin dhe për të vendosur aty njerëz që do të gjykojnë nesër këta persona. Por, këto që them i quajnë propagandë”.
Më tej, Rama theksoi se ka ardhur koha që qeveria të bëjë “një hap më tutje me kurajo”.
“Vijmë te KÇK, që është organizatë kriminale gjykatësish dhe prokurorësh që janë shërbëtorë, bashkëpunëtorë ose edhe tutorë të krimit të organizuar. Janë kancer në sistem që me fillimin e vetting-ut ka hyrë në fazën e vet më agresive. Janë njerëz që e dinë që nuk kanë shans të kalojnë vetting-un dhe sot shfaqen shumë më hapur sesa deri dje, kur punonin avash dhe me bindjen se askush nuk i lëvizte nga vendi. Sot, ata kanë kohë deri kur të dalin para vetting-ut. Prandaj, motoja e tyre është Kap ça t’kapësh, KÇK. Rasti i Durrësit është shumë flagrant, për fat të mirë e sollën rrethanat që u gjenden në një makinë prokurori dhe një nga eksponentët e krimit të organizuar dhe në bagazhin e makinës dokumentat e vjedhura të prokurorisë”, deklaroi Rama.
“Kur një anëtar i KÇK shkel ligjin, askush nuk vepron, ndërkohë që duhet sqaruar se Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të marrë masë për pezullimin dhe inspektimin e anëtarit përkatës të kësaj organizate kriminale. Do të marrim masa që nga ndalimi i daljes nga territori i vendit, deri në ndalimet në perimetra të ndryshme, për shembull mos të dalë nga Vlora. Do të ketë edhe masa me karakter pasuror”, shtoi kreu i qeverisë.
Rama: Trend pozitiv i ekonomisë, nuk ka të krahasuar me 6 vite më parë
Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të programit 2-vjeçar të qeverisë, ka deklaruar se edhe pse ky ka qenë një “vit i vështirë që ka krijuar një nivel të ri pasigurie në raport me të nesërmen dhe çdo ndjesi pasigurie reflekton menjëherë në ekonomi”, ka vazhduar trendi pozitiv i rritjes ekonomike.
“Edhe këtë vit është konfirmuar një trend pozitiv i nisur 6 vite më parë dhe sot kemi të dhëna në ekonomi që kokëfortësisht tregojnë se nuk ka të krahasuar situata sot me atë dje”, tha kreu i qeverisë.
“Por, pa diskutim, nuk ka të krahasuar situata sot me nevojën dhe pritshmërinë për një ekonomi që nesër duhet të jetë shumë më e fortë dhe e gatshme t’u japë të gjithëve një mundësi”, shtoi Rama.
“Vila në Surrel”, Rama: Në raport me tërësinë e banesave të shqiptarëve, është një më shumë
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj një komenti në Facebook mbi banesën e tij gjatë prezantimit të programit 2-vjeçar të qeverisë.
Një komentues përmendi “vilën në Surrel” dhe kreu i qeverisë u përgjigj kështu: “Vila ime në Surrel, në raport me tërësinë e banesave individuale të shqiptarëve, është një banesë më shumë dhe kaq”.
“Për të gjithë ata që kanë hedhur pa fund baltë lidhur me këtë, them se shtëpia ime është e deklaruar në çdo detaj dhe me çdo faturë dhe do të isha shumë i lumtur nëse të gjithë bashkëjetuesit në hapësirën publike të zhurmës politike do të binim dakord që të bënim një sqarim shtëpi më shtëpi për të ardhurat dhe sa korrespondojnë të ardhurat me produktin”, shtoi Rama.
Rama: Kemi rritur pagat në sektorin publik
Kryeministri Edi Rama pranoi se në Shqipëri ekziston një problem real me pagat në sektorin privat.
“Në sektorin publik i kemi rritur pagat dhe jemi në mesataren e rajonit. Kush do një pagë si në Gjermani është në të drejtën e tij, por edhe Gjermania nuk i rrit më shumë pagat dhe ka një arsye për këtë. Pagat rriten duke rritur ekonominë dhe rriten duke kuptuar sektori privat që nëse nuk e ndjek sektorin publik, do të fillojë të ndjejë shumë shpejt humbjen e mundësive për të pasur njerëz që duan të punojnë në privat”, deklaroi Rama.
Sipas kreut të qeverisë, nga kontaktet që ka me njerëzit, ka kuptuar që ata nuk duan të punojnë në privat, por shumica dërrmuese kërkojnë të punojnë në shtet.
Më tej, Rama tha se papunësia është ulur në krahasim me vitin 2013: “Shifra e papunësisë është shifër e konsoliduar nga të gjitha raportet. Shikoni papunësinë në vitin 2013 dhe shikojeni në vitin 2019. Në fund të mandatit duam të shkojmë nën 11%”.
A po shpopullohet Shqipëria? “Një të riu në fshat që ka një klikim afër Cristianon, nuk i thua dot rri këtu”
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ata që thonë se po shpopullohet Shqipëria nga keqqeverisja “ose nuk kupton asgjë, ose është i poshtër”.
“Jemi në një botë ku lëvizja ka një tjetër hapësirë dhe tjetër shpejtësi. Jemi në mes të një kontinenti ku shumë afër nesh është epiqendra e pasurisë së botës. Patjetër që një të riu që ndodhet në një fshat kudoqoftë në Shqipëri, i cili me një klikim ka pranë Kim Kardashianin dhe Cristiano Ronaldon, nuk është e lehtë t’i thuash “rri këtu se do të bëjmë bashkë Shqipërinë”. Patjetër që ikja e njerëzve ka brenda edhe problemet e veta, por kush thotë se ikja e njerëzve lidhet me qeverisjen, ose nuk kupton asgjë, ose është i poshtër”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, “faktet e bazuara në shifrat e Eurostat, tregojnë se nga BE janë kthyer 155 000 shqiptarë”.
“Periudha 2007-2012 ka pasur 49% më shumë emigrim sesa në 2013-2019. Shqiptarët kanë ikur, ikin dhe do të ikin; kanë ardhur, vijnë dhe do të vijnë. Shyqyr që është kështu, nuk e duam më bunkerin e Enver Hoxhës”, theksoi Rama. (A2 Televizion)