
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) mblidhet sot për të miratuar emërimin e 8 prokurorëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Gjatë mbledhjes do të hapet gara edhe për drejtuesin e Prokurorisë Speciale dhe do të përcaktohet metodologjia për zgjedhjen e tij.
Por, pavarësisht se prokurorët do të marrin emërimin, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, një prej organeve më të shumëpërfolura të Reformës në Drejtësi që do të hetojë zyrtarët e lartë, nuk mund të konsiderohet e ngritur.
Neni 148 pika DH i Kushtetutës thotë se numri minimal i prokurorëve të SPAK është 10. Duke qenë se 4 kandidatë të tjerë ende nuk e kanë kaluar vetting-un, struktura mbetet e paplotë, megjithëse ecja përpara me procedurat nga Këshilli i Lartë ka bekimin e partnerëve ndërkombëtarë. (A2 Televizion)