Rama: Kjo qeveri e re do të hyjë në histori, vajzat dhe gratë të marrin vendin e merituar në shoqëri

Nga A2 CNN
16 Shtator 2021, 12:26 | Politikë
Rama: Kjo qeveri e re do të hyjë në histori, vajzat dhe

Kryeministri Edi Rama e quajti historike përbërjen e kabinetit të tij qeveritar me shumicë grash. “Me votëbesimin e kabinetit të ri, Shqipëria ngjitet në vendin e parë të klasifikimit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për numrin e grave në qeveri, pasi ka qëndruar më parë në 5 vendet e parë të këtij klasifikimi”, tha Rama.

Por ai tha se beteja kundër diskriminimit gjinor dhe dhunës në familje, mbetet shumë e hapur. “Realiteti jashtë institucional nuk është aspak rozë. Ka ende shumë forca diskriminuese dhe energji negative të cilat veprojnë në shoqërinë tonë në dëm të grave dhe vajzave. Nuk është nevoja të shkosh në pika të humbura të vendit për të gjetur raste dramatike, fatkeqësisht jo të rralla të ndalimit të vajzave për të vijuar shkollën, fejesash të imponuara qysh në adoleshencë deri dhe mbyllje brenda mureve të shtëpisë vetëm se nuk janë djem. Ashtu sikurse nuk janë të rralla rastet e dhunës ekstreme mbi gratë”, tha Rama.

Ai u bëri thirrje ministreve të kabinetit të tij, kryetares së Kuvendit dhe deputeteve të opozitës, që të udhëheqin me forcën e shembullit në betejën për fuqizimin e grave në shoqëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos